Izraeli kundër marrëveshjes për programin bërthamor iranian

30/03/2015 00:00

Izraeli është kundër çdo marrëveshjeje mes komunitetit ndërkombëtar dhe Iranit sa i përket programit bërthamor të këtij të fundit.

Përmes një postimi në “Facebook”, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli dhe vendet e tjera të rajonit do të “vuajnë” pasojat e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor iranian. Tel Avivi këmbëngul se ambiciet e Iranit janë tërësisht ushtarake.

Deklarata e Netanyahu-t u bë në një kohë që bisedimet për programin bërthamor iranian kanë rinisur ethshëm në Zvicër me objektiv arritjen e një marrëveshjeje paraprake politike brenda 31 Marsit, i vendosur si afat kohor nga të dyja palët.

Ministrat e jashtëm të gjashtë fuqive botërore janë në takimin e radhës me homologun iranian me shpresën që firmosjes së një dokumenti konkret pas 18 muajsh bisedime.

Grupi i ashtuquajtur 5+1 (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Rusia, Franca, Kina plus Gjermania) kërkon t’i vendosë kufij Teheranit mbi pasurimin e uraniumit, si garanci që Republika Islamike nuk synon ta shfrytëzojë programin e vet për ndërtimin e një bombe bërthamore.

Në këmbim, Irani, që këmbëngul se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore, si energjia dhe mjekësia, kërkon heqjen e sanksioneve të vendosura nga ndërkombëtarët si kundërpërgjigjje e tërheqjes prej tryezës së bisedimeve nga Teherani gjatë kohës kur në pushtet ishte Ahmedinejad.

Top Channel