Bale, zyrtarisht lojtari më i shpejtë në botë: 36,9 km/orë

30/03/2015 00:00

Që ka rezultuar si blerja më e shtrenjtë në histori, duke qenë se Real Madrid është “detyruar” të paguajë plot 109 mln euro për ta rrëmbyer nga Tottenham, kjo tashmë është e pamohueshme. Por, Gareth Bale tashmë ka siguruar një tjetër vend të parë ndaj kolegëve-rivalë të tij. Ai është lojtari më i shpejtë në botë me topin në këmbë.

Zbulimi i fundit vjen nga një studim i zhvilluar nga klubi meksikan Pachuca, nën kujdesin e FIFA-s. Uellsiani i madrilenëve arrin shpejtësinë prej 36,9 km/orë. Në vend të dytë renditet – mos u çudisni – gjermano-meksikani Jurgen Damm, anësori i djathtë i vetë ekipit Pachuca, që është grumbulluar së fundi edhe nga kombëtarja tringjyrëshe e Miguel Herreras. Ky “i panjohur” vrapon deri në 35,25 km/orë me topin në këmbë. Ndërsa vendin më të ulët të “podiumit” e zë Antonio Valencia, anësori ekuadorian i Manchester United. Mes 10 të parëve renditet edhe Cristiano Ronaldo, konkretisht i pesti me një shpejtësi prej 33,6 km/orë, ndërsa Leo Messi është “vetëm” i shtati, me 32,5 km/orë.

Shifrat e konfirmojnë zyrtarisht uellsianin si futbollistin më të shpejtë në botë, por fakti që është një “sprintier” kaq i zoti, kjo ka qenë e njohur edhe më parë. Këtë gjë e ka pranuar edhe “maestroja” i sprinteve, Usain Bolt, i cili vitin e kaluar mbeti i habitur nga goli që uellsiani i shënoi Barcelonës në finalen e Kupës së Mbretit, aq sa tha se “ishte një gol fantastik, ndërsa Bale ka treguar se është di të vrapojë shumë shpejt kur kalon mbrojtësit dhe me gjakftohtësi di ta dërgojë topin pas shpinës së portierit. Duket se e kaluara e tij si atlet e ka ndihmuar, pasi ky është një gol që do të kishte dashur ta shënonte çdo sprintier. Bale është lojtari më i shpejtë në botë”.

Ja lista e 10 futbollistëve më të shpejtë në botë.

1. Gareth Bale: 36,9 km/h
2. Jurgen Damm: 35,23 km/h
3. Antonio Valencia: 35,1 km/h
4. Aaron Lennon: 33,8 km/h
5. Cristiano Ronaldo: 33,6 km/h
6. Theo Walcott: 32,7 km/h
7. Lionel Messi: 32,5 km/h
8. Wayne Rooney: 31,2 km/h
9. Frank Ribery: 30,7 km/h.
10. Sergio Ramos: 30,6 km/h.

Top Channel