Formula 1, Ecclestone: Dua një kampionat vetëm për femrat

30/03/2015 00:00

Një kampionat i Formula 1 vetëm për femra. Kjo është idea e fundit e Bernie Ecclestone, për t’i dhënë kështu një impuls të ri spektaklit të automobilizmit, por edhe për t’iu dhënë mundësinë e kërkuar grave të apasionuara pas F1, të cilat nuk kanë gjetur shumë hapësira përveç se gjatë testimeve.

Ndonëse gara e fundit në Sepang të Malajzisë thuajse e zhduku frikën e një tjetër sezoni të dominuar nga Mercedes, “plakushi i madh” i Formula 1, siç konsiderohet pronari dhe aksioneri më i fuqishëm i këtij sporti, Ecclestone kultivon idenë e një shfaqjeje të re, duke zgjeruar programin aktual me një botëror tërësisht për femrat, i cili do t’i paraprinte kampionatit për meshkuj.

“Mendoj se do të ishte një ide e mirë t’u japësh grave një vitrinë për t’u shfaqur. Për disa arsye, – është shprehur Ecclestone për “Guardian”, – gratë nuk kanë arritur të shfaqen tërësisht në një sport si ky dhe kjo, jo sepse ne nuk duam. Përkundrazi, e duam këtë gjë, sepse do të tërhiqte shumë vëmendje, sigurisht edhe publicitetet dhe sponsorizimet do të ishin të mëdha”.

E thënë nga një biznesmen me një zgjuarsi dhe inteligjencë si Ecclestone, sigurisht që mund t’i besosh një programi të këtillë. “Nga duhet t’ia nisim? U kam sugjeruar skuderive të zhvillojnë një kampionat më vete, ndoshta kështu do të mund të sjellim ndryshime në Formula 1. Kampionati i femrave do të zhvillohej përpara shfaqjes më të rëndësishme, asaj të pilotëve meshkuj, ose ndoshta ditën e provave zyrtare gjatë të shtunave, për t’i pasur edhe ato në vëmendje”.

Top Channel