Dhjetëra gazetarë kanë protestuar këtë të hënë në Shkup kundër komisionit të lustracionit, pas paralajmërimeve se anëtarët e tij kanë nisur të kontrollojnë gazetarët që kritikojnë qeverinë.

Protestuesit kanë kundërshtuar vendimin me të cilin ky komision shpalli gazetaren maqedonase Jadranka Kostova bashkëpunëtore të shërbimeve sekrete.

Ata thanë se përmes procesit të lustracionit, pushteti po tenton t’u mbyllë përfundimisht gojën gazetarëve të pavarur.

“Kjo do të jetë një periudhë e rëndë për ne dhe duhet të qëndrojmë të palëkundur. Në listat e anëtarëve të komisionit për lustracionin ndodhen persona të cilëve duhet t’u jepet goditja e fundit. Vendimi për Jadranka Kostovan është një goditje ndaj një gazetareje që ka qasje kritike ndaj qeverisë”, deklaroi reporterja Olivera Trajkovska.

Disa përfaqësues të gazetarëve që dolën në protesta u takuan me kryetarin e komisionit të lustracionit, Tome Axhiev. Ky i fundit u tha atyre se procesi do të zhvillohet sipas ligjit dhe përgënjeshtroi paralajmërimet se në komision ekziston një listë me emrat e gazetarëve të caktuar që duhet të lustrohen.

Gjendja e mediave dhe liria e shprehjes në Maqedoni vazhdimisht është përkeqësuar në vitet e fundit dhe situata është evidentuar në të gjitha raportet ndërkombëtare.

Së fundmi, në kuadër të aferës së përgjimeve, lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev publikoi disa biseda telefonike midis zyrtarëve të qeverisë dhe përfaqësuesve të disa televizioneve, që sipas tij, dëshmojnë kontrollin e plotë që ka pushteti ndaj shumicës së mediave në Maqedoni.

Top Channel