Interesimi i të rinjve në Kosovë për kulturën e muzikës hip-hop ka bërë që disa të rinj të hapin një shkollë për vallëzimin e kësaj rryme të njohur si break dance.

Aktivitetet e kësaj shkolle filluan me një klasë vallëzimi të udhëhequr nga kërcimtarë me përvojë shumëvjeçare. Sipas koreografit Sahit Aliu, në Kosovë ka shumë të rinj të talentuar për këtë rrymë vallëzimi.

“Këtu, siç e keni parë edhe më herët, ka valltarë të cilët kanë talent shumë të mirë, të cilët pretendojnë të mësojnë. Shpresoj që në të ardhmen do të arrijmë që kjo kulturë e hip-hop-it dhe break dance-it të kultivohet në shkallën më të mirë të mundshme”, u shpreh Aliu.

Edhe Berat Haskaj, i ardhur nga Zvicra enkas për të ndihmuar talentet e reja, vlerëson aftësitë e të rinjve kosovarë.

“Cilësia këtu është shumë e mirë. Ka shumë valltarë të mirë, por problem mbeten kushtet. Aktualisht kemi shumë ftesa për aktivitete jashtë vendit. Mua më duhen të gjithë, Sahiti dhe gjithë shokët e grupit, por për këto projekte duhen shpenzime të mëdha financiare”, tha Haskaj.

Për të ndihmuar ata të rinj që kanë passion hip hopin, këto klasa vallëzimi me të ftuar specialë po ofrohen pa pagesë.

Break dance, si kulturë e vallëzimit, në Kosovë është bërë më shumë e njohur menjëherë pas luftës, ndërkohë që për vite me radhë organizohen edhe gara me mjeshtra të mëdhenj të rrotullimeve akrobatike nga vende të ndryshme të botës.

Top Channel