Big Brother, shumë “love story”, pak “lule limoni”

30/03/2015 00:00

Big Brother ka qenë një oaz i krijimit të lidhjeve dashurore. 30 banorë kanë shpallur dashurinë e tyre, në shtëpinë më të famshme në Shqipëri gjatë këtyre 8 edicioneve.

Por, a ka qenë kjo pjesë e strategjisë së lojës së tyre në “reality show”-n më të ndjekur të shqiptarëve, apo ajo çfarë ka ndodhur ka qenë dashuri e vërtetë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e tregon vetë jetëgjatësia e lidhjeve të tyre, pas daljes nga Big Brother.

Ogreni dhe Neda
, nga BB4, një muaj më parë janë bërë prindër. Edhe pse u paragjykuan brenda shtëpisë, mediet i kushtuan vëmendje lidhjes së tyre dhe vazhdimësisë. Ata vërtetuan se, ajo që lindi mes tyre ishte e vërtetë dhe e sigurt.

Në të njëjtën kohë u njohën Alma dhe Shkëlqimi, të cilët shkëndijat e para i patën në shtëpinë e Big Brother. Pas daljes, ata nisën një histori dashurie, që u finalizua në bashkëjetesë. Ata u vendosën në Itali dhe u bënë prindër të një vajze. Aktualisht, thuhet se çifti i ka dhënë fund marrëdhënies.

Ndërsa historia e fitueses së këtij edicioni, të begatë me çifte, nuk shkoi kaq larg! Ermela nisi një lidhje me Ervinin dhe, pas një bashkëjetese pohuan se historia e tyre kishte marrë fund.

Të parët që thyen mentalitetin në Shqipëri, se mund të krijosh një lidhje e ta konsumosh atë duke qenë i vëzhguar 24 orë, ishin Najada, apo “Noçja” si i thërrisnin të gjithë, dhe Olsi. Ata patën një histori të komplikuar, që u pasqyrua në media. Lidhja e tyre përfundoi disa muaj pas daljes nga shtëpia.

Jehonën e kësaj lidhjeje e zbehu çifti i edicionit të dytë të Big Brother, Adelajda dhe Bjordi. Pas daljes nga shtëpia, ata bashkëjetuan disa kohë në Tiranë, por edhe lidhja e tyre përfundoi. Pavarësisht kësaj, ata kujtohen edhe sot si një ndër çiftet më të dashur në historikun e Big Brother.

Një tjetër histori e bukur dashurie lindi në Big Brother, një vit më vonë, mes Bertinës dhe Erjonit. Marrëdhënia e tyre ka përfunduar 2 vite pas daljes nga “reality show”.

Një tjetër çift lindi po në edicionin e tretë. Fituesi i i BB3, Jetmiri u lidh me Rezartën. Edhe pse lidhja e tyre nuk ishte ndër më të komentuarat, ata bashkëjetuan për disa muaj në kryeqytet, por as lidhja e tyre nuk funksionoi.

Krejt ndryshe ishte për çiftin e bukur të BB5. Ata ishin në qendër të vëmendjes së shtypit rozë dhe emisioneve televizive. Ermali dhe Françeska duket sikur vrapuan, familjet e tyre u takuan, por historia e vrullshme u konsumua disa muaj pas daljes nga shtëpia.

Pak a shumë të njëjtin mediatizim dhe përfundim përshkoi dhe dashuria e Xhulit dhe Arditit. Por ndarja e tyre u kthye në një telenovelë në shtypin rozë dhe asnjëherë nuk u mësua arsyeja e vërtetë e saj.

Çifte të tjera u ndanë pak javë pas përfundimit të “reality show”-t. Pas daljes nga shtëpia, ata kuptuan se nuk kishin më gjëra për të ndarë me njëri-tjetrin.

Marjeli dhe Mirjeta nga BB4 vazhduan jetët e tyre, aty ku i kishin lënë përpara se të hynin në shtëpi. Ai u largua drejt Italisë, ndërsa Mirjeta vazhdoi jetën e saj në Londër.

Seldi dhe Domenika, nga BB3, edhe pse morën bekimin e mami Valit, nuk e zgjatën më shumë sesa disa javë, lidhjen e tyre së bashku jashtë kamerave.

Po aq sa mbijetoi edhe ndienja e Polit dhe Inës, banorët simpatikë të BB1, që u bënë të njohur edhe për humorin e tyre.

Çifti që e kuptoi se nuk do të kishte të ardhme dhe u nda brenda shtëpisë, pa komentuar arsyet, ishte Arjoni dhe Anjeza në BB2.

Ndërsa historia e dashurisë që ka ngjallur më shumë diskutime, padyshim ishte ajo e Anaidit dhe Joanës. Anaidi diti të jetë shumë strategjik në lojë dhe në jetë. Lidhjes i dha fund me një deklaratë televizive të nesërmen, pas daljes nga shtëpia e BB6 me çmimin e madh. Ai tha për “Fan Club” se “Tashmë jam single!”.

Presim me kuriozitet sesi do të vijojë historia e Albës me Diedonin. Deri më tani, ata kanë deklaruar se kanë gjetur shpirtin binjak. Dhe edicioni nuk ka ende një muaj, që ka filluar…

Top Channel