Zamira Durda: Jeta jonë, 7 vite pa Erisonin…

30/03/2015 00:00

Shtatë vite më parë, ai ishte një fëmijë i shëndetshëm dhe energjik. Nxënës me nota shumë të mira, i klasës së parë. Po aq të mira i kishte marrëdhëniet edhe me lojërat dhe biçikletën. Madje, atë mesditë po bënte garën e radhës me shokët, derisa shpërthimi në fabrikën e demontimit në Gërdec do t’a çonte drejt një gare… që nuk e fitoi!

Erison Durda ishte vetëm 7 vjeç e gjysmë, në 15 marsin e vitit 2008. Ndodhej shumë pranë fabrikës dhe mori plagë të rënda djegieje në të gjithë trupin. 18 ditë betejë me vdekjen, në një spital në Brindizi të Italisë. Më 4 prill mbylli përgjithmonë sytë, duke u kthyer tragjikisht në një nga 26 viktimat e shpërthimit të Gërdecit.

Për herë të parë pas ngjarjes, dhe me të njëjtën dhimbje, e ëma Zamira nxjerr nga sirtarët rrobat dhe librat e Erisonit, kujtime pas të cilave kapet fort.

“Ky është kostumi i klasës së parë që pati blerë dhe që nuk arriti as ta griste. As ta bëja dhëndër e ta martoja. Vija pranë shtëpisë, që të kërkoja diçka të Erit, në rrënoja kam gjetur të gjitha: me çadrën që përdorte në shkollë, këpucën, shapkat që i vishte edhe kur dilte me biçikletë. Janë të ngrëna poshtë nga mënyra sesi frenonte. Kam edhe çantën e librave, të nxjerrë gjithashtu nga rrënojat. I kam kërkuar një më një me duar, vetëm sepse janë kujtime të Erit dhe që unë t’i prek me dorë gjatë gjithë kohës, ndërsa këto janë të gjitha shkrimet e Erit me dorën e tij, por që nuk arriti kurrë të rritej”, thotë Zamira.

Bisedën e fundit me Erin, siç e quante gjithmonë, Zamira e rikujton shpesh.

“Erdha këtu më 13 mars dhe vjersha e fundit që më ka thënë ishte kur u takova me të në spital. Më thoshte doktori foli djalit gjatë gjithë kohës, që të rrinte zgjuar. Kur e pyeta për detyrat, mbaj mend që më tha se e kishin lënë Abetaren te ‘thuthuqi’ e menjëherë kaloi në gjendje kome për të mos u zgjuar më”, rrëfen më tej Zamira.

Erisoni kishte dhe një ëndërr.

“Gjatë mësimeve, sepse ishte shumë i zgjuar, kur e pyesja se çfarë donte të bëhej kur të rritej më thoshte se donte të bëhej President, që të shpëtonte Shqipërinë, por nuk arriti as të rritej”, kujton Zamira.

Rrugën për në varreza, Zamira e merr shpesh. Ai është vendi, ku pas vajit vjen prehja.

Pas kaq shumë vitesh, duke u përballur pandërprerë me dyert e gjykatave, Zamira, sikurse edhe pjesa tjetër e familjes, betejën me drejtësinë nuk e ka humbur ende. Pak ditë më parë fituan të drejtën e dëmshpërblimit monetar prej 32 milionë lekësh të reja. Por ata thonë se paratë nuk mund t’u rikthejnë qetësinë. Vijojnë të këmbëngulin se drejtësia do të vihet në vend, vetëm nëse një ditë ish-ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu do të dalë në bankën e të akuzuarve.

Top Channel