Rusi, stabilizohet ekonomia; investitorët rikthejnë sytë në tregun rus

30/03/2015 00:00

A ka kaluar periudha më e keqe për Rusinë? Disa investitorë të guximshëm mendojnë se po dhe janë në përpjekje qe të depërtojnë sërish në tregjet e saj. Sipas tyre, ekonomia ruse është në rrugën e duhur.

Pas një viti horror që kaloi rubla, të cilës thuajse iu përgjysmua vlera, tani duket se monedha ruse ka rifituar pozitën e saj dhe ekonomia është rritur me 4 për qind.

Një ndihmesë e madhe për ringjalljen e saj ka qenë edhe çmimi i naftës, i cili është stabilizuar dhe nuk shkon më poshtë sesa 50 dollarë për fuçi, edhe pse vijon të konkurrohet fuqishëm nga Lindja e Mesme.

Kjo është pozitive për ekonominë ruse, një pjesë e rëndësishme e të cilës bazohet në të ardhurat e tregëtisë që vijnë nga ari i zi. Ndërkaq, tregjet e bonove ruse gjithashtu premtojnë.

“Kjo situatë është produkt i stabilizimit të tregjeve financiare”, u shpreh ekonomisti rus Vladimir Kolychev, duke shtuar se trendi është i qëndrueshëm.

Ndërkohë, qeveria ka krijuar dhe fonde rezervë, të cilat i japin një dorë ekonomisë së saj, rezerva këto që vetëm për vitin 2015 kanë një tregues më të lartë se 14%.

Edhe pse tregjet financiare ruse janë më të qeta sesa ishin në dhjetor, klima e investimeve mund të rendohet përsëri së shpejti nëse marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës përkeqësohen më tej, ose në rast se çmimet e naftës rifillojnë tatëpjetën, e shkaktuar kjo ndoshta edhe nga heqja dorë e sanksioneve ndaj Iranit.

Megjithatë, injorimi i Rusisë si destinacion investimesh do të ishte dritëshkurtër. “Ekonomia ruse është ende një ekonomi me potencial shumë interesant”, gjykojnë ekspertët.

Madje, dhe marrëdhëniet e tensionuara të së kaluarës mes Rusisë dhe Perëndimit asnjëherë nuk kishin bllokuar investimet reciproke.

Top Channel