Itali, televizioni shtetëror ndalon videot e ISIS

30/03/2015 00:00

Radio-televizioni Italian ka vendosur që të mos transmetojë më videot që ISIS fut në Internet. Kështu deklaroi drejtori i përgjithshëm Luigi Gubitosi, gjatë një senace dëgjimore në Dhomën e Deputetëve pranë Komisionit për të drejtat dhe detyrat që kanë të bëjnë me Internetin.

Pas një analize dhe reflektimi, shpjegoi kreu i radio-televizionit shtetëror, vendosëm prerazi që të mos i japim jehonë rrëfimit propagandistik që ISIS bën për vetëveten.

“Çdo lajm do të jepet pas përpunimit nga ana e gazetarëve të Rai-t, pa futur videot e Internetit. Një vendim i fortë dhe i përgjegjshëm, që garanton edhe mbrojtjen e dinjitetit të personave”, deklaroi ai.

Sipas një anketimi të kryer kohët e fundit, 40 për qind e popullsisë në Itali përjeton një ndjesi rrethimi për shkak të terrorizmit islamik dhe të ISIS në veçanti.

Shoqata Europiane e Psikiatrisë, e mbledhur këto ditë në kongresin e saj të 23-të në Vjenë, bën të ditur se diçka e ngjashme, edhe pse në nivele të ndryshme, po ndodh edhe ne vendet e tjera europiane.

Top Channel