Qeveria greke kërkon një “kompromis të respektueshëm” me partnerët evropianë, ka deklaruar kryeministri grek Aleksis Tsipras.

Duke theksuar se kabineti i tij nuk do të kapitullojë, Tsipras është shprehur i bindur se, plani helen i reformave do të pranohet nga kreditorët ndërkombëtarë. Por nga ana tjetër, Brukseli duket se nuk është ende i kënaqur.

“Dialogu mes palës greke dhe Grupit të Brukselit po vazhdon në mënyrë konstruktive, por ende nuk jemi aty ku duhet dhe duhet ende punë nga ana e Athinës”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Grekët nuk e kanë dërguar ende listën me reformat që kërkon Brukseli, por i kanë qarkulluar propozimet e tyre në “copa letre”, që të vëna së bashku mbulojnë pak a shumë të gjithë parametrat e kërkuar.

“Nuk ka asnjë listë, lista do të vijë vetëm në përfundim të negociatave mes grekëve dhe Brukselit. Bëhej fjalë vetëm për disa copa letre që kanë qarkulluar duke përmbajtur parametrat e kërkuar, por jo kërkesat mbi aplikimin dhe efektin e tyre”, ka shtuar zëdhënësi i KE.

Ndërkohë, nga Berlini deklarojnë se janë në pritje të reformave. “Po presim që Athina të plotësojë listën e propozimeve që ia vlen të diskutohen dhe që mund të jenë baza e negociatave me Eurozonën”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Martin Jaeger.

“Topi është në fushën e grekëve. Shpresojmë që lista të prezantohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shtuar zëdhënësi, i cituar nga agjencia ekonomike e lajmeve Bloomberg.

Top Channel