Programi bërthamor i Iranit, ende çështje të rëndësishme për t’u diskutuar

31/03/2015 00:00

Më pak se 24 orë nga përfundimi i afatit për arritjen e një marrëveshje për programin bërthamor të Iranit , diplomatët po shfrytëzojnë maksimalisht kohën e mbetur në Lozanë të Zvicrës për gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Një prej përfaqësuesve të Iranit në këtë takim, zëvendësministri i Jashtëm u shpreh se të dyja palët kanë ende çështje të rëndësishme për të diskutuar.

“Shpresojmë që negociatat të mbyllen të martën ose të mërkurën, por për këtë nuk ka garanci. Mbeten ende disa çështje për të cilat të dyja palët duhet të arrijnë marrëveshje”, tha në Lozanë të Zvicrës zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araqchi.

Megjithatë Araqchi tha se po bëhen të gjitha përpjekjet për një kompromis mes palëve.

“Nuk jemi në gjendje të themi nëse jemi pranë arritjes së një kompromisi, por jemi optimist dhe do të vazhdojmë përpjekjet tona”, shtoi ai.

Diplomatët pohojnë se Teherani ka shfaqur vullnetin të pakësojë numrin e centrifugave bërthamore në më pak se 6 mijë dhe të dërgojë pjesën më të madhe të rezervave të uraniumit të pasuruar në Rusi për magazinim.

Nga ana tjetër, fuqitë botërore që po negociojnë me të (Britania, Kina, Franca, Rusia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) janë duke shqyrtuar mundësinë që regjimit të ajatollahëve t’i lejohen provat bërthamore për qëllime mjekësore në një kompleks nëntokë.

Ndërkohë, Izraeli është kundër çdo marrëveshjeje mes komunitetit ndërkombëtar dhe Iranit sa i përket programit bërthamor të këtij të fundit.

Top Channel