Bushati dhe Gjiknuri në Hagë: Hapësira për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik

31/03/2015 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe ai i Energjisë, Damian Gjiknuri, zhvilluan një vizite pune në Hagë, ku ndër të tjera theksuan mundësitë për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik në fusha të ndryshme.

Gjatë kësaj vizite, z. Bushati u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë të Vendeve të Ulta, Bert Koenders, me të cilin diskutoi mbi nxitjen e bashkëpunimit dypalësh dhe rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Ministri Koenders u njoh me hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim.

Ministri Bushati, pasi vlerësoi rolin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në proceset integruese euroatlantike dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat, u ndal në hapat konkretë të qeverisë në kursin e reformave në Shqipëri dhe angazhimin e saj për të vijuar me vendosmëri në rrugën e reformave dhe të integrimit.

Bushati dhe Koenders diskutuan veçanërisht edhe për bashkëpunimin ekonomik. Për ministrin Bushati, marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona duhet të ndikojnë edhe në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus rritjen e prezencës të kompanive holandeze në Shqipëri.

Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua rajonit të Ballkanit Perëndimor, rolit dhe kontributit të rëndësishëm që Shqipëria ka në bashkëpunimin rajonal. Bushati e informoi homologun Koenders për iniciativat rajonale për zhvillimin e këtij bashkëpunimi, Presidencën shqiptare të radhës në SEECP, procesin e Berlinit dhe përgatitjet për Samitin e Vjenës.

Edhe takimet e ministrit Gjiknuri kishin në vëmendje intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri. Në takimin me ministrin e Çështjeve Ekonomike Henk Kamp, z. Gjiknuri nënvizoi masat e ndërmarra nga qeveria për të krijuar një klimë sa më miqësore ndaj biznesit të huaj e vendas dhe mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria, falë rezervave të saj në burime natyrore.

Dy ministrat diskutuan edhe për procedurat e ofrimit për aktivitet kërkimi të blloqeve të lira të naftës dhe gazit. Duke marrë në konsideratë edhe rezultatet pozitive të kërkimeve të kompanisë SHELL e Petromanas në zonën e Shpiragut, Gjiknuri konfirmoi se, në kuadër të këtij procesi do të ketë një dialog edhe me këtë kompani.

“Prezenca e kompanisë SHELL në Shiqpëri është tregues i një historie suksesi, por edhe promovim për investimet e tjera holandeze”, theksoi Gjiknuri.

Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe mbi ecurinë e projektit e gazsjellësit TAP, projekt që ndikon në stabilitetin dhe sigurinë energjetike të rajonit. Ministri Gjiknuri kërkoi mbështetje nga Bashkimi Europian për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së energjisë dhe gazit në Shqipëri e rajon.

Më tej, Gjiknuri parashtroi një ekspoze të masave të marra në kuadër të reformës në energjitikë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Rrjedhojë e këtyre masave, sipas tij, janë treguesit e përmirësuar; reduktimi drastik i nivelit të humbjeve dhe rritja e arkëtimeve të energjisë elektrike.

Ministrat Bushati dhe Gjiknuri ishin të ftuar të Institutit “Clingendael”, ku u diskutua mbi sfidat e integrimit në Ballkanin Perëndimor dhe sigurinë energjetike ne Europën Juglindore.

Top Channel