PD: Rama-Meta fshehën dy herë urdhër-arrestin ndaj Frrokut

31/03/2015 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetit Arben Ristani ka akuzuar sërish qeverinë Rama-Meta se kanë fshehur për qëllime personale urdhër-arrestin e dërguar nga Brukseli ndaj deputetit Mark Frroku.

Duke reaguar pas ndalimit të shefit dhe specialistes së Interpol mbrëmjen e së hënës, Ristani ka theksuar se kjo është një tjetër përpjekje për të shfajësuar krerët e lartë të shtetit.

“Një fakt i tmerrshëm doli përsëri në dritë dje, që tregon se deri ku janë zhytur në skemën kriminale Edi Rama dhe Ilir Meta, në lidhje me akuzat se kryetari i Kuvendit ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Ata e kanë mbajtur të kapur dëshmitarin kyç, Mark Frroku, i kanë dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës”, ka thënë Ristani.

Sipas tij, më 8 janar të këtij viti në Tiranë ka mbërritur dokumenti i Interpol Brukselit për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Frroku, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje.

“Ky urdhër është mbajtur në sirtar nga zyrtarët e Edi Ramës. Më 23 janar, Interpoli i Brukselit ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut. Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim. Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës”, ka deklaruar Ristani.

“Për të mbyllur këtë skandal të paimagjinueshëm, drejtori i policisë ka shkarkuar dhe ka ndaluar dje drejtorin e Interpol Tirana, Artan Bajraktari dhe një specialiste në këtë drejtori, duke u përpjekur t’u lërë fajin atyre. Kjo është një përpjekje e turpshme dhe e dëshpëruar për të nxjerrë të larë autorët e vërtetë të bllokimit të urdhërit të Interpol Brukselit, që janë Edi Rama dhe Ilir Meta”, ka vijuar Ristani.

Pasi ka konsideruar përgjegjës të drejtpërdrejtë kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, deputeti demokrat i ka kërkuar prokurorit të përgjithshëm që të nisë një hetim të shpejtë e të thellë për të hedhur dritë mbi këtë rast.

“Kjo është një sprovë për ligjin, për drejtësinë, për demokracinë për vendin tonë, që s’mund të mbahet peng i skemave kriminale të Edi Ramës dhe Ilir Metës”, ka shtuar Ristani. 

Top Channel