Dorëhiqet Artan Didi: U cënua imazhi i policisë

31/03/2015 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi dha
dorëheqjen. Didi iu drejtua shefit të Qeverisë, si edhe ministrit të
Brendshëm me një kërkesë për dorëheqje të parevokueshme, por lajmi për
dorëheqjen doli fillimisht në formë jozyrtare të martën në mëngjes, në
orën 10:00 pas komunikimit që Didi iu bëri drejtuesve të Policisë dhe
pak minuta më pas konfirmimi erdhi në formë zyrtare së bashku me letrën e
dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Shkak për largimin u bë shkelja e procedurave ligjore të Shefit të Interpolit, Artan Bajraktari dhe vartëses së tij, Loreta Alla, të arrestuar të hënën në mbrëmje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për çështjen e ekstradimit të deputetit, Mark Frroku.

Pavarësisht se pranon përgjegjësinë morale, drejtori i Përgjithshëm në letrën e dorëheqjes nuk pranon të ketë qenë në dijeni të një urdhëri të dalë nga Belgjika për shpalljen në kërkim të deputetit Mark Frroku për një vrasje të pretenduar në Bruksel. Drejtori i Përgjithshëm shkruan në kërkesën e dorëheqjes se veprimi i shefit të Interpolit e cënoi imazhin e Policisë së Shtetit, pavarësisht se ishte vetë policia që e korrigjoi këtë gabim.

Ai thotë duke vlerësuar si ‘të papranueshme këtë ngjarje për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, duke vlerësuar se nuk pati kapacitet të mjaftueshme për të parandaluar një fakt të tillë, vendosi të japë dorëheqjen e parevokueshme’, ndoshta duke vendosur një standard të ri edhe në Policinë e Shtetit, ku titullari më i lartë vendos të largohet për veprimet e vartësve të tij.

Dorëheqja e Didit erdhi fare papritur për opinionin publik, por ndoshta jo për disa nga drejtuesit e Policisë dhe Ministrisë së Brendshme. Një natë më parë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pas një hetimi të nisur për këtë çështje, kërkoi arrestimin e shefit të Interpol Tirana, Artan Bajraktari, si edhe specialistes Loreta Alla. Hetimi i SHKB-së nisi javë më parë me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri pas shpërthimit në publik të çështjes ‘Frroku’, krahas asaj ‘Doshi’.

A ka patur një kërkesë nga pala belge për policinë shqiptare lidhur me arrestimin e deputetit Frroku? A ishte ai në listat e Interpolit si person në kërkim ndërkombëtar? Avokatët e Frrokut mohojnë që të ketë kërkesë për ekstradim nga autoritetet belge, por prokuroria shqiptare është vënë në lëvizje nga një shkresë e zyrës së Interpolit disa ditë më parë.

Ndërkohë, që një hetim i SHKB-së ka treguar se dy të arrestuarit, drejtori i Interpol Tirana, Artan Bajraktari, një polic karriere dhe me përvojë të gjatë dhe vartësja e tij dyshohen se nuk kanë lajmëruar në kohë autoritetet përkatëse policore dhe përkatëse për informacionin e ardhur nga shteti belg për shpalljen në kërkim të deputetit Mark Frroku, pasi ky i fundit dyshohet për një vrasje të kryer atje në vitin 1999.

Burime brenda grupit të hetimit bëjnë të ditur se nga marrja në pyetje e tij, rezulton se në dëshminë e Bajraktarit është thënë se ai ka lajmëruar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë jo në rrugë protokollare. Forma që është gjetur, sipas tij, ka qenë ajo e postës elektronike, një dëshmi të cilën e rrëzon poshtë drejtori i Përgjithshëm duke deklaruar se nuk ka marrë asnje e-mail të tillë.

Këto dëshmi kanë sjellë një situatë ku hetimi i brendshëm është gjetur përpara faktit ku qëndrojnë përballë fjala e drejtorit të Interpolit me atë të eprorit te tij. Por, zyrtarisht shteti funksionon me dokumente dhe për sa kohë një dokument i tillë nuk është regjistruar zyrtarisht, ka qenë ky fakt që ka çuar në arrestimin e Bajraktarit për shkelje, ndërkohë që Didi për përgjegjësi morale ka dhënë dorëheqjen.

Top Channel