Basha: Nuk rikandidoj më në Tiranë

31/03/2015 00:00

Lulzim Basha është i vendosur të kryejë deri ditën e fundit funksionin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por po aq i vendosur ai është të mos rikandidojë më.

Vendimi bazohet tek një premtim që ai bëri 4 vjet më parë, kur garoi përballë Edi Ramës, i cili drejtonte njëkohësisht edhe opozitën e atëhershme. Me Edi Ramën, tani Lulzim Basha ka një betejë tjetër.
 
“Kam vendosur të mos kandidoj për Bashkinë e Tiranës, por të drejtoj opozitën në një betejë fshat më fshat dhe qytet më qytet. Misioni im si kryetar i PD-së është të drejtoj opozitën në largimin e qeverisë së “lakut në fyt”. Përballjen e kam me kryeministrin. E kemi mundur në garën për Bashkinë e Tiranës, do ta mundim përsëri në garën për të gjitha bashkitë”, u shpreh Basha.

Të mërkurën pasdite, Lulzim Basha ka thirrur në takim të gjithë aleatët e 23 qershorit, me përjashtim të PDIU-së. Aty do të formalizohen edhe kërkesat e tyre, por shpresa më e madhe e Lulzim Bashës është aleanca me qytetarët.

“Aleatët tanë kanë qenë dhe janë qytetarët. Hallet dhe dëshirat e tyre ne kemi treguar që i kthejmë në projekte për ta”, theksoi Basha.

Brenda 10 ditëve, PD-ja synon të mbyllë procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për 61 bashkitë e vendit. Deri tani, për Tiranën nuk ka një emër konkret, por Lulzim Basha thotë se do të jetë në lartësinë e fitores së besimit të qytetarëve dhe për të finalizuar projektet e zhvillimit të qytetit.

“Dua që kandidati i PD-së të jetë një personalitet ose personalitete që t’i përkushtohet me kohë të plotë drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Jam i bindur që stafetën do t’ia jap kandidatit demokrat”, tha Lulzim Basha.

Top Channel