Berisha: “Këshilli i Vrasësve” largoi rrënuesin e Policisë së Shtetit

31/03/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi të martën pas dorëheqjes së Artan
Didit, nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Me etiketime të forta, Berisha shkruan në rrjetin social Facebook, se ky vendim erdhi si rezultat i larjes së hesapeve mes atyre që Berisha i quan ‘balozë të krimit në krye të pushtetit’.

“‘Këshilli i Vrasësve’ largoi dhe flaku si limon të shtrydhur vrasësin, cubin mercenar që rrënoi Policinë e Shtetit, Artan Didi. Shkarkimi i tij u bë për të larë duart me krimin e fshehjes nga Edi Rama për tre muaj të kërkesës së autoriteteve belge për ekstradimin e Mark Frrokut për vrasje. Pra, ky shkarkim është thjesht një larje hesapesh midis kockave mafioze të pushtetit të krimit. Burime të informuara njoftojnë se Artan Bajraktari, në momentin e arrestimit, ka deklaruar se ai kishte njoftuar për kërkesën belge jo vetëm Didin, por dhe vetë Tahirin, nga të cilët ishte porositur ta mbante aty e të mos kthente përgjigje”, shkruan Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, ‘marrëdheniet e Didit me Tahirin ishin prej kohësh në thikë e në pikë. Thuhet se Didi kishte denoncuar tek të huajt lidhjen e Tahirit me Shullazin, përdorimin e drogës nga ana e tij, si dhe aksionet e tij në lojërat e fatit, etj. Kurse Tahiri mbante peng Didin me një transfertë 500 mijë eurosh të tij, në një vend mik, si dhe disa emërime në Polici. Bosët e pushtetit të krimit po hanë njëri-tjetrin’.

Top Channel