Piloti i parë i tragjedisë, u përpoq të shpëtonte pasagjerët

31/03/2015 00:00

Një foto e tij në internet ende nuk gjendet, por fjalët e fundit, treguesi i përpjekjeve të dëshpëruara për të shpëtuar njerëzit në avionin e “Germanwings”, janë rrënjosur thellë në mendjet e të gjithëve: hape këtë derë të mallkuar!

Piloti i parë i airbusit A320 të rrëzuar në Alpet franceze javën që shkoi u përpoq me të gjithë forcën të shpëtonte jetët e pafajshme, të shndërruara në prenë e çmendurisë së një njeriu të vetëm.

Kapiteni 34-vjeçar i fluturimit 9525 të kompanisë low cost të kontraktuar nga “Lufthansa” luftoi deri në momentet e fundit për të ndaluar Andreas Lubitz dhe tentoi atë që dhe vetë e dinte se ishte e pamundur: shkatërrimin e një dere të pashkatërrueshme.

Hetuesit ende nuk e kanë bërë publik emrin e tij. Në mediat gjermane i referohen vetem si “Patrick S.”, por disa të afërm i konfirmuan CNN identitetin e pilotit.

Patrick Sondenheimer ishte një njeri tepër familjar. Pikërisht dashuria për familjen e kishte shtyrë të kalonte nga pilotimi i avionëve të “Lufthansa” dhe “Condor” tek “Germanwings”.

Fluturimet e shkurtëra me linjen low cost i lejonin të kthehej më shpesh në shtëpi e të kalonte më tepër kohë me të shoqen, vajzën 6-vjeçare dhe djalin 3 vjeç.

Me më shumë se 6.000 orë fluturimi eksperiencë, Sondenheimer konsiderohej një nga më të mirët tek “Germanwings”. Në rrjetet sociale, kapitenin pa fytyrë që u përpoq të shpëtonte 144 pasagjerët dhe pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit, e cilësojnë një “hero”.

Për guximin dhe përpjekjet e tij, meriton t’i jepet medalja e nderit, tha gjyshja e 34-vjeçarit për CNN. “Nipi im dhe gjithë të tjerët vdiqën për shkak të një idioti. Thjesht nuk e kuptoj si arriti Lubitz ta bënte një gjë të tillë”, tha ajo.

Prokurori i Marsejës, Brice Robin deklaroi javën e kaluar se në regjistruesin e zërit dëgjohen goditje të dhunshme, çka dëshmon se Patrick kishte tentuar ta rrëzonte derën e kabinës.

“Ai duhet ta ketë kuptuar se çfarë po ndodhte. Po të kishte ekzistuar ndonje mundësi për ta hapur atë derë, kapiteni do ta kishte bërë”, tha prokurori.

Top Channel