Frroku drejt arrestimit të dytë, votimi ditën e enjte

31/03/2015 00:00

I shoqëruar nga forcat e policisë, deputeti aktualisht në arrest shtëpie, Mark Frroku hyri në kryesinë  e Kuvendit për të dalë përpara kolegëve të tij në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në të dytin rast që mblidhet për një autorizim ndaj tij për arrestim, kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme.

I dyshuar për një vrasje të 16 viteve më parë në Belgjikë, Mark Frroku është vendosur sërish nën hetim nga organi i akuzës, akuzë të cilën ai e mohoi kategorikisht në të parën deklaratë për këtë ngjarje përpara kolegëve të parlamentit.

“Nuk kam qenë fare në Belgjikë në atë kohë kur thuhet. Kam udhëtuar në vendet e zonës Shengen lirshëm dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme nga sistemi TIMS. S’ka asnjë kërkesë ndaj meje”, deklaroi Frroku.

Ashtu si edhe në rastin Doshi, opozita replikoi me prokurorët e çështjes duke ngulmuar në provat që organi i akuzës mbështet këtë kërkesë dhe përse ngjarja referohet shumë vite më pas.

Deputeti i Shkodrës ka sqaruar edhe një tjetër të dhënë të publikuar në media, sipas të cilave familja e tij dhe e viktimës janë takuar për këtë ngjarje.

“Është e vërtetë se familjarët tanë, në bazë të së drejtës zakonore kanë pasur një takim, jo ai që ka dalë në media, dhe është sqaruar kjo punë sepse ata kishin ankesat e tyre dhe babai im, thashë edhe njëherë, është 85 vjeç, dhe u është përgjigjur atyre me të drejtën zakonore”, deklaroi Frroku.

Seanca e pyetjeve me deputetin Frroku është zhvilluar e qetë përgjatë komunikimit të tij me kolegët, ndërsa nuk ka qenë i tillë raporti i demokratëve me kryesuesin e seancës, Ilir Meta, të cilit që në fillim i kërkuan të tërhiqej nga drejtimi për shkak se, sipas tyre, kryeparlamentari ka konflikt interesi në këtë çështje.

Tonet e larta mes demokratëve dhe Metës paralajmërojnë një seancë të tensionuar parlamentare të enjten ku do të futet për miratim raporti i Këshillit për kërkesën për arrestim të deputetit të Pukës.

Mark Frroku kërkoi gjithashtu të jetë i pranishëm në seancë ku do të votohet kërkesa e dytë ndaj tij.

Top Channel