Rindërtohet një kopësht në Kombinat, ishte jashtë funksionit prej 1955

31/03/2015 00:00

Bashkia e Tiranës përuroi këtë të martë rindërtimin e një kopshti në zonën e Kombinatit, një investim ky prej 39 milionë lekësh.

Godina e re e kopshtit të dalë nga funksioni prej vitit 1955, aktualisht akomodon 150 fëmijë dhe ambientet brenda tij janë bashkëkohore.

Kryebashkiaku Lulzim Basha ndërsa ka inspektuar punimet e përfunduara në këtë kopsht, ka shprehur kënaqësinë që Bashkia e Tiranës ia ka dalë të ndryshojë në mënyrë rrënjësore kushtet në kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit që ishin lënë prej vitesh në harresë dhe përbënin rrezik për jetën e fëmijëve.

“Investimi ka përfunduar dhe më në fund kjo zonë e kryeqytetit ka një kopsht të parametrave europianë. Cilësia e ambienteve të brendshme, infrastruktura mbështetëse, kuzhina, ngrohja, kapacitetet e rritura deri në 150 fëmijë janë shërbimi më i mirë që i bëhet komunitetit të kësaj zone i cili ka nevoja të mëdha të cilat nuk përmbushen plotësisht e këtë investim por që me këtë investim marrin një mbështetje shumë të madhe se deri më sot. Kjo është pjesë e vizionit tonë për të mbështetur familjet e Tiranës me një infrastrukturë të plotë, moderne, europiane të kopshteve e çerdheve, pjesë e projekteve të financuara nga Bashkia e Tiranës, pjesë e vendosmërisë sonë për të bërë gjithçka në shërbim të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës duke përfshirë ata më të vegjlit, vogëlushët që janë shpresa dhe drita e syrit e prindërve të tyre, qytetit dhe Shqipërisë”, deklaroi Basha.

Top Channel