Apple, kundër ligjit diskriminues

31/03/2015 00:00

Me editorialin fshikullues të botuar te “Washington Post”, Tim Cook del nga hija e Steve Jobsit për të denoncuar, atë që e sheh si padrejtësi dhe diskriminim: ligjin e aprovuar në shtetin e Indianës, i cili nuk lejon shtetin t’i detyrojë njerëzve ofrimin e shërbimeve, që bien ndesh me besimin e tyre.

Shefi i Apple-t i kishte dhënë që të premten në Twitter, shenjat e para të refuzimit të nismës ligjore të konsideruar diskriminuese. Ligji, praktikisht mbron sipërmarrjet tregtare, që në emër të praktikave fetare u refuzojnë shërbimin klientëve të caktuar.

Bindjen e tij se, në kompaninë që drejton, fjala “diskrimini nuk do të gjejë kurrë vend”, Cook e sintetizon në një shprehje të vetme. “Apple-i – shkruan ai, – është i hapur për të gjithë”.

Përpos kësaj, përmend edhe të tjera projektligje të diskutuara aktualisht në mbi një duzinë shtetesh, për të cilat thotë se “racionalizojnë padrejtësinë, duke bërë sikur i dalin në mbrojtje vlerave të mbështetura nga shumë prej nesh, ndërsa në fakt ato bien ndesh me parimet, mbi të cilat është ngritur e mbështetet kombi ynë, e me shumë gjasa mund të fshijnë dekada të tëra progresi drejt një barazie më të madhe”.

Bossi i Apple-it ka qenë shpeshherë një zë i fuqishëm në luftën kundër diskriminimit, e kjo jo vetëm për faktin që është homoseksual. Qershorin e kaluar, një profil i tij i publikuar nga “New York Times” përmendte një episod shenjues nga fëmijëria.

Teksa shëtiste me biçikletë, Cook kishte parë një kryq në flakë përpara shtëpisë së disa personave me ngjyrë;  rreth tij lëviznin anëtarë të Ku Klux Klanit, mes të cilëve kishte shquar dhjakun e një kishe të zonës. Ajo pamje nuk iu shqit kurrë nga mendja dhe, ende sot e shtyn të kërkojë pa u lodhur barazinë mes njerëzve.

Top Channel