Zbulohet virusi “Adria”, i lokalizuar në zonën e Lezhës

31/03/2015 00:00

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë zbuluar një virus të ri, që qarkullon në vendin tonë, si fillim vetëm te disa lloje insektesh, të cilat shërbejnë për ta transmetuar më pas atë te njerëzit. Virusi është quajtur “Adria” dhe prek sistemin nervor të njerëzve.

“Nuk është zbuluar te njerëzit, por te flebotomet, që janë një lloj vektori që transmetojnë disa sëmundje virale, apo ethe si ato të Toskanës, Napolit, të cilat shfaqen me temperaturë, me pika të kuqe në lëkurë dhe ndonjëherë edhe me prekje të sistemit nervor qendror”, tha Silva Bino, eksperte e sëmundjeve infektive.

Virusi “Adria” është zbuluar në zonën e Lezhës, por mund të jetë i përhapur në vektorë edhe në zona të tjera të vendit. Instituti i Shëndetit Publik ka rritur kontrollin në Lezhë.

“Virusi që kemi zbuluar ne quhet ‘Adria’, i zbuluar në flebotomet në Lezhë nga një ekip i përbashkët shqiptaro-grek. Deri tani nuk janë vërejtur sëmundje te njerëzit të shkaktuara nga ky virus, kemi përforcuar këtë mbikëqyrje në këto rrethe dhe, nëse do të kemi raste të tilla, qoftë me temperaturë, pika të kuqe të lëkurë apo infeksione të sistemit nervor qendror, natyrisht duhet të ndërhyjmë menjëherë”, tha më tej Silva Bino.

Specialistët shpjegojnë se vektori, që transmeton virusin “Adria” te njerëzit, është i njëjtë me atë, që transmeton edhe Leishmaniozën. Tanimë është gati një program kontrolli për vektorët, i cili do të përhapet në të gjithë vendin.

Top Channel