FIGC mbulon simbolin e “32 titujve” në hyrje të “Juventus Stadium”

31/03/2015 00:00

Mbrëmjen e sotme do të zhvillohet ndeshja miqësore Itali-Angli, e cila është programuar të luhet në “Juventus Stadium” të Torinos.

Sigurisht që mikpritësi do të jetë Andrea Agnelli, por ky gjest mirësjelljeje duket se nuk mjafton për të qetësuar humorin e keq të disa tifozëve juventinë, të cilët prej ditës së djeshme kanë shpërthyer nëpër rrjetet sociale me irritim.

Motivi i kësaj sjelljeje? Simboli i 32 titujve kampion (30 sipas shifrave zyrtare të Federatës italiane të Futbollit FIGC) që shfaqet në hyrje të stadiumit, ku zhvillon ndeshjet ekipi i Juventusit, është mbuluar tashmë nga një simbol i kombëtares italiane.

Një mospërfillje ndaj bardhezinjve, për shkak të efekteve anësore të të ashtuquajturit “Calciopoli” dhe 443 milionë euro dëmshpërblim të kërkuara nga klubi torinez? Në të vërtet nuk është aspak e tillë, pasi nuk ka asnjë notë politike në këtë vendim, por thjesht një reagim klasik i Federatës italiane, kur i duhet të shfrytëzojë një stadium për ndeshjet e “axurrëve”.

FIGC nuk paguan qira për të tilla ndeshje, por thjesht paguan shpenzimet për shërbimet e ofruara për vetëm 90 minutat kur luan përfaqësuesja. Ndaj është e natyrshme që për ndeshje të tilla, sponsorët e përgjithshëm të marrin rol më të dukshëm, sesa ata të klubit që kanë të drejtë parësore për ndeshjet e Championsit, për shembull.

Sidoqoftë, edhe në brendësi të “Juventus Stadium”, ku sonte priten rreth 2 mijë anglezë duke alarmuar edhe policinë, ashtu siç ndodhi edhe në ndeshjen ndaj Republikës Çeke në vitin 2013, të gjitha të dhënat dhe titujt e fituar nga Juventus deri në atë moment ishin mbuluar, pa ngjallur asnjë skandal.

Top Channel