Projekti “Berlusconi”, një Milan italian, “axurr” dhe i rinuar

31/03/2015 00:00

Gjurmët e para të projektit të ri “Berlusconi” datojnë prej korrikut të vitit 2009, kur padroni kuqezi thoshte “mjaft pleqve, dua një Milan me lojtarë nën 23 vjeç”. Ishte një deklaratë jo vetëm momentale, por e mjaftueshme për të dhënë një linjë veprimi. Edhe për shkak se në atë periudhë, askush nuk mendonte për një rrjedhje ekonomike dhe sportive, kaq drastike dhe të shpejtë.

6 vite më pas, ai projekt u zyrtarizua. “Milani im duhet të jetë i përbërë nga lojtarë italianë, të rinj dhe mundësisht italianë të akademisë sonë”. E megjithatë, i vetmi mes 31 lojtarëve kuqezinj të ekipit të sotëm, që i përmbush të gjitha këto parametra është De Sciglio. I ri, italian i kombëtares dhe produkt i akademisë. Por ky sezon, për të ka qenë dëshpërues, si nga aspekti fizik, ashtu edhe nga rendimenti, gjithsesi mosha e tij është avantazh: vetëm 22 vjeç. Ndaj, projekti “Berlusconi” nuk mund të heqë dorë prej tij.

I mungon vetëm të qenit nga akademia e kuqezinjve, por dy kushtet e tjera El Shaaraëy i përmbush. Edhe ai po kalon një situatë me shumë ulje-ngritje, për pasojë të problemeve fizike njëra pas tjetrës. Dhe ndryshe nga De Sciglio, për Stephanin së fundi po flitet gjithnjë e më shumë me këmbëngulje për një largim të mundshëm. Por, ai është një talent dhe Milani duhet ta bëjë të rikthehet vetvetja.

Pas tyre janë edhe dy lojtarë, që përmbushin pjesërisht kriteret: Destro dhe Bocchetti. Problemi është se të dy ata janë të huazuar dhe, prej muajit qershor nuk mund të dihet me saktësi nëse do të mbeten pjesë e kuqezinjve apo jo. Më problematiku është Mattia Destro, sepse opsioni për ta blerë është plot 16 milionë euro, një shifër e rëndësishme për arkën e kuqezinjve. Megjithatë jo pak interes përbën edhe huazimi i Bocchettit nga Spartaku i Moskës.

Lista vijon me emra të tjerë interesantë, edhe pse jo më me një petk “kampioni”. Flitet për Abaten, lojtar i kombëtares dhe produkt i akademisë, por edhe për Antonellin, sërish lojtar kombëtareje dhe produkt akademie, i cili ka udhëtuar për plot 8 vjet nëpër skuadra të ndryshme. Më pas vijnë Poli dhe Bonaventura, të cilët herë-herë bëhen pjesë e kombëtares, edhe pse jo vazhdimisht, por që të dy lojtarë me kualitete në fushë dhe jashtë saj.

Në fund përmenden edhe Paletta, i cili ashtu si dhe Cerci e kanë shijuar tashmë aventurën “axurre”, por ky i fundit është i huazuar nga Atletico Madrid deri në qershor të vitit të ardhshëm. Por çfarë do të bëhet me merkaton? Sigurisht që ata që do të afrohen duhet të plotësojnë kriteret e Berlusconit. Ndaj, emrat e parë në listën e Gallianit janë Baselli i Atalantës dhe Valdifiori i Empolit.

Top Channel