Dixhitalizimi i medias, edhe Kosova humbet afatin e 17 qershorit

31/03/2015 00:00

Kosova, sikurse disa vende të rajonit e ka humbur afatin e përcaktuar nga rregullorja europiane, 17 qershorin  e këtij viti, për të kaluar nga sistemi analog i transmetimit në atë numerik, duke rrezikuar kështu të punojë me frekuenca, që nuk kanë mbrojtje ndërkombëtare.

Komisioni i pavarur për Media dorëzoi këtë të martë në Qeverinë e Kosovës, strategjinë e përgatitur për kalimin në transmetim dixhital tokësor. Për të vazhduar puna, Qeveria duhet të nxjerrë ligjin, i cili do të përcaktojë metodën dhe kushtet për transmetimin dixhital.

Kryetari i KPM-së, Adnan Merovci kërkoi nga Qeveria të ndërhyjë për ta shtyrë afatin, e po kështu të punojë në hartimin e ligjit për dixhitalizim, në mënyrë që procesi të mund të përfundojë.

“I kemi trajtuar mediat në mënyrën më të drejtë, duke mos rrezikuar vazhdimësinë e tyre. Duke qenë se ne i kemi në numër të vogël operatorët me transmetim rajonal, që janë dy televizione private dhe televizioni publik, atëherë dixhitalizimi do të jetë një hapësirë që do t’i trajtojë përmbajtet, duke mos i dëmtuar këto ekzistueset, që kanë licenca për transmetim tokësor analog. Sa i përket çështjes së afatit të 17 qershorit, kjo është një datë e proklamuar shumë më herët. Kjo do të thotë se, pas këtij afati, frekuencat e përdorura deri më sot për transmetim analog, nuk do të kenë më mbrojtje ndërkombëtare”, tha Adnan Merovci, kryetar i KPM-së.

Merovci tha se, që nga koha e fillimit të këtij procesi kanë bashkëpunuar vazhdimisht me mediat, dhe se ato kanë filluar t’i bëjnë përgatitjet për këtë çështje.

“Ne kemi dy palë mediash në Kosovë në raport me dixhitalizimin. Kemi media, që pretendojnë të jenë edhe menaxhues të frekuencave, që quhen “multiplex”, dhe si të tilla kanë dy mundësi: të konkurrojnë në fazën e parë në ‘multiplex’-at që ne po i quajmë komercialë, dhe në fazën e dytë; të cilën ne e quajmë garë publike apo ‘beauty contest’; gjithçka iu destinohet medieve që flasin për transmetim me mbulueshmëri nacionale”, tha Adnan Merovci, kryetar i KPM-së.

Deri më tani, procesin e dixhitalizimit në rajon e kanë përfunduar Maqedonia, Kroacia dhe Sllovenia. Në Kosovë puna ka nisur në vitin 2007, por si proces është përllogaritur të përfundojë 8 muaj pasi të hyjë në fuqi ligji përkatës.

Top Channel