Maqedoni, ndryshimi i ligjit për Këshillin gjyqësor do të forcojë sistemin gjyqësor

31/03/2015 00:00

Ndryshimi i ligjit për Këshillin gjyqësor, sipas Ministrisë së Drejtësisë do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve të sistemit gjyqësor, që ballafaqohet me sfida të rënda.

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari tha se projektligji i ri parasheh përfshirjen e disa standardeve të rëndësishme në drejtim të profesionalizimit dhe rritjes së efikasitetit të Këshillit gjyqësor.

“Tre janë çështjet kryesore, që janë të rëndësishme për të ndikuar dhe ndryshuar ligjin për Këshillin gjyqësor, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kapacitetit të atij këshilli, si organ shumë i rëndësishëm në pushtetin gjyqësor, por edhe të vetë Gjyqësorit”, tha Adnan Jashari, ministër i Drejtësisë në Maqedoni.

Projektligji i ri parashikon, që në Këshillin gjyqësor të mos emërohen vetëm ata gjykatës, të cilët kanë përvojë pune mbi 15 vite. Deputeti i BDI-së, Rafiz Aliti, ka thënë ditë më parë se ky kusht rrezikon përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në këtë organ gjyqësor, si dhe kërkoi që ky prag të ulet në 8 vite.

Por ministri Jashari hodhi poshtë këto pretendime të bashkëpartiakut të tij, duke thënë se janë të shumtë kandidatët shqiptarë, që plotësojnë kushtet për t’u emëruar në Këshillin gjyqësor, i cili përbëhet nga 15 anëtarë.

“Numri i kandidatëve, që i plotësojnë këto kushte, shkon në rreth 1100, prej të cilëve rreth 370 janë shqiptarë”, tha Adnan Jashari, ministër i Drejtësisë.

Nga ana tjetër, deputetja maqedonase Liljana Popovska, që është pjesë e shumicës parlamentare, vlerëson se kriteret, që ka propozuar Ministria e Drejtësisë për Këshillin gjyqësor, nuk janë të mjaftueshme për forcmimin e kapaciteteve të këtij organi. Sipas saj, pikërisht kriteret e ulëta dhe niveli i kuadrove janë pengesa serioze për reformimin e sistemit gjyqësor.

Top Channel