Rama: Rritje fondit për nxitjen e punësimit

31/03/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj vizituan këtë të martë një nga kompanitë e përpunimit të peshkut që ka përfituar nga Fondi i Nxitjes së Punësimit.

Kryeministri u shpreh se projektet e qeverisë në fushën e nxitjes së punësimit kanë dhënë efektet e pritshme, duke e bërë optimiste qeverinë për të rritur më tej fondet për këtë qëllim. Kjo politikë e nxitjes së punësimit, sipas Kryeministrit, bëri të mundur që për vitin e parë, numri i të punësuarve vetëm nga ky projekt të ishte afro 4 mijë persona, ndërkohë që për vitin aktual, ky numër pritet të shkojë në 7 mijë të tjerë.

“Jam shumë i kënaqur, por edhe shumë i impresionuar nga gjithçka pamë sot këtu, – u shpreh Kryeministri,- sepse është një aktivitet shumë kuptimplotë i pasionit dhe këmbënguljes së jashtëzakonshme të një sipërmarrje, por edhe i bashkëpunimit me qeverinë në funksion të nxitjes së punësimit. Fondi i punësimit vitin e shkuar, që ishte edhe viti i parë i aplikimit të kësaj skeme të re ishte tre herë më i lartë sesa fondi i punësimit të 2013-s. Këtë vit, ne dyfishuam fondin e një viti më parë dhe presim që të mbërrijmë një shifër prej 7 mijë vendesh të tjera pune dhe vetëm nga ky program. Këtë vit pritet që të marrin pjesë në këtë program me aplikimet e tyre rreth 700 kompani.”- tha Rama.

Kryeministri u shpreh mbresëlënës nga fakti se fabrika të tilla orientohen nga standardet europiane, rritja e eksporteve dhe zgjerimi i pozitës në tregjet e huaja.

Ndërkohë, ministri Veliaj njoftoi se qeveria në mbledhjen e radhës do të miratojë Kodin e ri të Punës, i cili do të ofrojë më shumë garanci në mbrojtje të punës dhe të të drejtave të punëmarrësve.

Programet e nxitjes së punësimit do të përfshijnë subvencionimin e punësimit, trajnimin nëpërmjet punës, punësimin e personave me aftësi të kufizuar apo praktikat profesionale për studentët e sapodiplomuar.

Top Channel