PR prish koalicionin me PD: Dalim me kandidatët tanë në zgjedhje

31/03/2015 00:00

Pas përplasjeve për kandidatin për Bashkinë e Durrësit, Partia Republikane e ka prishur koalicionin me Partinë Demokratike. Sot, kjo parti njoftoi se do të jetë me kandidatët e saj në 61 njësitë vendore.

“Partia Republikane, prej kohësh i ka kërkuar PD-së, më shumë se një herë, marrëveshje me shkrim pa pasur një përgjigje konkrete. Në këto kushte, Kryesia e PR ka vendosur që Asambleja Kombëtare, brenda 10 ditësh të vendosë bazuar mbi propozimet e Kryesisë, për kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilltarë të PR, që do të garojnë në 61 bashki.

Së dyti, përfundimin e të gjitha kandidaturave dhe regjistrimin e tyre për administratën zgjedhore, sipas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Së treti, PR, si forcë e opozitës, shpreh vullnetin dhe angazhimin e saj me çdo faktor politik, i cili orientohet nga parimet e bashkëpunimit transparent dhe interesit reciprok, me qëllim garantimin e suksesit jo të një subjekti, por të popullit opozitar”, tha sekretari i Përgjithshëm i PR-së, Arian Madhi.

Top Channel