ISIS, çlirohet qyteti i Tikritit nga forcat irakiane të sigurisë

31/03/2015 00:00

Tikriti, bastion i xhihadistëve prej disa muajsh, tashmë është në duart e forcave irakiane. Pas shumë betejash të përgjakshme e sulmesh ajrore të udhëhequra nga ndërkombëtarët, lufta për të rimarrë strehën e Sadam Hyseinit ka përfunduar.

Mirëpo qindra ekstremistë besohen të jenë të fshehur në një kompleks pallatesh në veri të qytetit, në pritje për të ndryshuar fatin e Tikritit. Por mesa duket çdo tentativë e tyre do të jetë e kotë, pasi kryeministri irakian deklaroi:

“Forcat tona të sigurisë kanë arritur në qendër të Tikritit, duke e çliruar thuajse nga të gjitha anët. Tashmë kemi një kontroll të plotë të të gjithë qytetit, duke përfshirë këtu edhe ambientet qeveritare, selinë e guvernatorit, si edhe spitalin kryesor”, tha Abadi.

Gazetarët e mediave të huaja raportojnë se vendi, ndonëse i çliruar nga hija terroriste, është tërësisht i shkatërruar. Polici kudo, gëzhoja plumbash, si edhe kufoma të shpërndara. Por forcat irakiane të sigurisë i druhen faktit se në trupat e viktimave, xhihadistët mund të kenë vendosur eksplozivë.

Madje, zyrtarët irakianë dyshojnë se militantët kanë vendosur dhjetëra bomba edhe në rrjetin e tuneleve nëntokësore, si dhe nëpër bunkerë. Tikriti është një pikë kyçe në Lindjen e Mesme, zonë kjo e mikluar shumë edhe nga xihadistët, pasi shërben si urë lidhëse me Bagdadin.

Forcat amerikane kanë qenë një pikë e fortë mbështetëse për qeverinë e Irakut, për ta çliruar Tikritin nga militantët e Shtetit Islamik.

Top Channel