Procesi i legalizimeve në Lezhë, Rama: Kapitull i ri

31/03/2015 00:00

Nga sheshi qendror i Lezhës, tashmë me një pamje të re pas rikonstruksionit disamujor, kryeministri Edi Rama shpërndau çertifikatat për legalizimin e banesave.

“Është kënaqësi që bëjmë takimin në këtë vepër të madhe publike të ndërtuar pas shumë vitesh, pasi ishte shndërruar në një parking makinash dhe ne vetëm në një vit bëmë ndryshime të dukshme në zemër të qyteti dhe në katër vitet e ardhshme me përfaqësuesin tonë që ju do të zgjidhni, ne do të bëjmë më shumë nga sa është bërë për 25 vite”, premtoi Rama.

Nëse në 8 vitet e shkuara, tha Rama, në Lezhë janë dhënë 1,300 leje në një vit e gjysmë qeveria bëri të mundur dhënien e 1,800 lejeve falas.

“Tani është hapur një kapitull i ri për legalizimin falas dhe sot me krenari për këtë hap të parë do të bëjmë që ekonomia familjare nga një strehë që nuk ekziston askundi, ta kthejmë në pasuri të patundshme dhe si një mundësi për ta patur garanci në banka për të bërë biznes në buqësi apo blegtori apo mbështetjen e fëmijëve në studime. Pra, nga kapitale të vdekura do t’i kthejme në kapitale aktive dhe çdo shpenzim që kane bërë qytetarët i kanë të regjistruar si kapitale”, shtoi kryeministri.

Në sheshin e lezhës nuk u fol vetëm për legalizimet. Nga këtu  banorët i rikthyen në vëmendje Ramës edhe problemet me faturat e energjinë elektrike, përfshi edhe komentet për punën e kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha.

Top Channel