Komandohet Haki Çako, shef në disa komisariate. Prej 7 muajsh zëvendësi i Didit

31/03/2015 00:00

Drejtori i komanduar Haki Çako është i datëlindjes 4 Prill 1967, me vendlindje Lushnjen. Ai ka përfunduar Akademinë e Policisë, Tiranë, gjatë viteve 1991-1996. Ai ka nisur karrierën në Janar të 1998-s, si shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Kuçovë, e në Shtator të të njëjtit vit si shef i Policisë Krimnale të Komisariatit nr. 1 në Tiranë. Më pas, si inspektor kundër Akteve Terroriste.

Ka kryer më pas funksionin e shefit të Krimeve në Komisariatin e Shkodrës dhe atë numër 3 në Tiranë. Në vitin 2003, specialist në Zyrën e Luftës kundër Drogave të Forta, dhe më pas shef i Komisariatit të Policisë Vlorë. Në 2006-n dërgohet si specialist i Antiterrorit në Elbasan dhe po në të njëjtin vit largohet me dëshirën e tij nga puna.

Rikthehet në 2010-n si specialist në Sektorin e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit dhe më pas si shef Sektori kundër Trafiqeve në Tiranë. Në 2013-n kalon nga specialist në Sektorin kundër Krimeve ndaj Personit, në Policinë e Shtetit, në drejtor i Qarkut të Gjirokastrës. Në Shtator të 2014-s emërohet zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda.

Cako dha rezultate të mira në luftën kundër Narkotrafikut në Qarkun e Gjirokastrës dhe ra në sy për goditjet e shpeshta, që iu bënë trafikantëve të shumtë në këtë qark. Për këtë arsye, pas 9 muajve në Gjirokastër iu besua numri 2 i Policisë së Shtetit, si një specialist në terren i Parandalimit të Krimeve.

Brenda radhëve të Policisë shquhet për nuhatjen në parandalimin e krimeve, arsye për të cilën iu besua edhe ky post. Gjatë periudhës që drejton të gjitha forcat për goditjen e krimit në vend, ka pasur goditje të disa bandave dhe grupeve të trafikantëve.

Top Channel