PD: Rama me Ndokën në Lezhë, sfidë dekriminalizimit. Reagon kryeministri

31/03/2015 00:00

Menjëherë pasi kryeministri Rama vizitoi Lezhën, nga sheshi qendror i së cilës shpërndau certifikatat e legalizimeve të banesave për disa qytetarë vendas, ka ardhur edhe reagimi i selisë blu, me anë të të cilit akuzojnë kreun e qeverisë se dha sot një mesazh të hapur kundër dekriminalizimit, siç thonë, duke u shfaqur në Lezhë me deputetin Arben Ndoka.

“Deputeti Arben Ndoka është jo vetëm subjekt i dekriminalizimit, pasi është dënuar në Itali me 7 vite burg për trafik prostitucioni e rrëmbim personi, por ai është në fakt simboli i inkriminimit, dhe fakti që Edi Rama zgjodhi t’i hapë atij dyert e Parlamentit ka tronditur opinionin publik dhe partnerët europianë. Me qëndrimet e veprimet e tij, Edi Rama angazhohet çdo ditë kundër dekriminalizimit, edhe pse kjo është një emergjencë kombëtare, edhe pse ka një marrëveshje me garanci të Parlamentit Europian”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për shtyp nga koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi.

Duke e konsideruar këtë dalje të sotme si një akt të rëndë, pas një seriali të gjatë të zhytjes së kryeministrit në skemat mbrojtëse qeveritare të krimit, sipas PD gjithnjë e më bosh do të jenë sheshet e xhirimit me regji të Edi Ramës dhe gjithnjë e më plot do të jenë sheshet e protestës popullore.

“Karshillëku, që i ka bërë sot në Lezhë procesi të dekriminalizimit, jetik për vendin, është flagrant dhe tregon qartë se Edi Rama ka zgjedhur krimin e përfaqësuesit e tij dhe jo interesat e vendit dhe integrimin europian. Edi Rama, duke dalë në krah të Arben Ndokës, i pandehur për goditje për shkak të detyrës, i cili është në proces gjyqësor dhe ndaj të cilit pritet të merret një vendim nga Gjykata e Lartë, po i bën hapur presion drejtësisë. Edi Rama rikonfirmon publikisht se qëndron pas sulmit fizik dhe kërcënimit me jetë nga deputeti i tij Arben Ndoka, ndaj përfaqësuesit të opozitës Strazimiri, në Parlament”, thuhet në deklaratë.

Një reagim ky i selisë blu, që ka tërhequr
brenda pak minutash edhe kundër reagimin e kryeministrit Rama, i cili në
rrjetin social Facebook ka shkruar Dekriminalizimi i “‎VajmedetPD”, një maskë që bie sa herë
të vajmedetshmit e SHQUP-it hapin gojën kundër Policisë së Shtetit, pra dy herë
në ditë!

Top Channel