Grabitje me armë në Tepelenë, në kërkim tre persona

31/03/2015 00:00

Një grabitje me armë ka ndodhur pak pas mesnatës në lagjen “Demokracia” të qytetit të Tepelenës.

Tre persona të armatosur dhe me maska kanë hyrë me forcë në banesën e 61-vjeçarit Naim Çiça dhe nën kërcënimin e armëve i kanë grabitur atij një shumë prej 5 mijë eurosh.

Policia është njoftuar përmes një telefonate të marrë në sallën operative dhe është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.

Në momentin e mbërritjes së policisë, tre grabitësit kanë braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira mundën të largoheshin. Policia sekuestroi mjetin tip Audi A3 me targa “CD 368 PT” brenda të cilit u gjetën një armë automatike model 56 me qytë të prerë, dy krehëra me 30 fishekë të kalibrit 7.62mm, një krehër pistoletë me 10 fishekë të kalibrit 9 mm, një gëzhojë e plasur e kalibrit 7.65 mm, një telefon celular, dy karta SIM, dokumenta identifikimi si dhe sende të tjera personale të autorëve.

Në bazë të këtyre provave policia ka bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të tre personave të dyshuar si autorë. Ata janë shtetasit me inicialet S.J. 30 vjeç me banim në Durrës, A.J. 37 vjeç po nga Durrësi dhe R.R 31 vjeç nga Tirana.

Ndërkohë Naim Çiça dhe bashkëshortja e tij shtetasja  A.Çiça 60 vjeç, banuese në Tepelenë, ndodhen në spitalin e Gjirokastrës me dëmtime trupore, por jashtë rrezikut për jetën.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel