Programi bërthamor i Iranit, shtyhet afati për arritjen e marrëveshjes paraprake

01/04/2015 00:00

Negociatat e shumëtrumpetuara për arritjen e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit nuk arritën të prodhojnë ujdinë e shpresuar brenda afatit të së martës e po vazhdojnë përtej tij.

Progres ka pasur dhe siç pohoi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është rënë dakord mbi të gjitha çështjet kyçe.
 
“Mund të pohohet me siguri thuajse të plotë se në nivel ministror është arritur kompromisi në të gjitha aspektet kyçe të marrëveshjes përfundimtare. Drafti i shkruar do të jetë gati brenda disa orësh, mbase dhe gjatë ditës së sotme”, tha Lavrov.
 
Homologu i tij iranian, Javad Zarif, pranon gjithashtu se është bërë mjaftueshëm përparim. Megjithatë, zyrtarët perëndimorë theksojnë se ka ende mosmarrëveshje mbi disa çështje, duke nisur nga kohëzgjatja e kufizimeve. Aktiviteti nuklear i Republikes Islamike do të limitohet rreptësisht për të paktën 10 vjet.

Pas kësaj, Irani kërkon që të gjitha kufizimet të hiqen. I ashtuquajturi grupi P5+1, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Kina dhe Rusia plus Gjermaninë, këmbëngulin që një gjë e tillë të ndodhë gradualisht përgjatë 5 vitesh përtej këtij kufiri kohor. Temë tjetër në diskutim mbetet lehtësimi i sanksioneve të OKB-së: regjimi i ajatollahëve i mëshon idesë së pezullimit të tyre fill pas vulosjes së marrëveshjes.

Perëndimi mendon se duhet pak më shumë kohë. Së fundi, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre europianë duan një mekanizëm i cili të lejojë rikthimin e shpejtë të sanksioneve nëse Teherani nuk i përmbahet marrëveshjes. Moska është dakord, por kërkon garanci për të drejtën e saj të vetos në Këshillin e Sigurimit.

Ndërkohë, një anketë e re në Shtetet e Bashkuara tregon se amerikanët mbështesin gjerësisht përpjekjet për të negociuar marrëveshjen që kufizon programin bërthamor të Iranit, edhe pse janë skeptikë se kjo do ta pengonte Teheranin të prodhojë armën atomike.

Nga sondazhi i ‘Washington Post-ABC News’ rezulton se 59% e të anketuarve ishin në favor të vulosjes së një pakti dhe vetëm 31% u shprehën kundër.

Top Channel