Vdes personi më i moshuar në botë

01/04/2015 00:00

Personi më i moshuar në botë, Misao Okawa, ka vdekur në moshën 117-vjeçare. Gruaja nga Japonia ndërroi jetë në Osaka, qytetin në të cilin lindi në 5 mars të vitit 1898.

Në vitin 2013, Misao u njoh si personi më i vjetër në botë nga rekordet Guinness.

Kur festoi ditëlindjen e saj të 117, zonja Okawa deklaronte se nuk i dukej se kishte jetuar shumë gjatë. Ajo tha gjithashtu se çelësi i jetëgjatësisë është sushi dhe fjetja 8 orë në ditë. Ditëlindja e saj e fundit u transmetua nga televizioni shtetëror japonez.

Misao Okawa ka jetuar përgjatë 3 shekujve, duke parë 4 perandorë të Japonisë, 6 monarkë të Britanisë së Madhe dhe 20 presidentë amerikanë.

Ende nuk dihet se kush është tani personi më i vjetër në botë, por faqja e rekordeve Guinness tregon se burri më i vjetër në botë është japonezi Sakari Momoi, i cili në shkurt mbushi 112 vjeç.

Personi që ka jetuar më shumë ka qenë francezja Jeanne Calment, e cila ka jetuar 122 vjet e 164 ditë. Ajo ka vdekur në gusht të vitit 1997.

Top Channel