Tepelenë, policia identifikon grabitësit dhe i shpall në kërkim

01/04/2015 00:00

Policia ka zbardhur grabitjen e ndodhur në banesën e shtetasit Naim Çiça, në Tepelenë.

Tre persona të maskuar dhe të armatosur, nën kërcënimin dhe përdorimin e armëve të zjarrit, kanë vjedhur një shumë prej 5000 euro e më pas janë larguar, duke përfituar nga errësira dhe duke braktisur, disa metra larg banesës, automjetin e tyre të markës “Audi” A3, me targat CD 368 PT.

Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim tre autorë të dyshuar të ngjarjes. Ata janë tre persona të moshës nga 30 deri në 37 vjeç nga Durrësi dhe Tirana. Dyshohet se duke përdorur armët dhe dhunën fizike, ata kanë arritur të vjedhin shumën e parave dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Në afërsi të banesës ata kanë braktisur automjetin, pasi kanë parë patrullën që po vinte për në vendngjarje.

Gjatë përleshjes në banesë është dëmtuar në trup një prej bashkëshortëve që tashmë ndodhet në spital. Policia sekuestroi automjetin, një automatik, dy krehëra me fishekë, një krehër pistolete me 10 fishekë të kalibrit 9 mm, një gëzhojë e plasur e kalibrit 7.65mm, një telefon celular, dy karta SIM, dokumente identifikimi dhe sende të tjera personale të autorëve, të gjetura brenda në automjetin e braktisur.

Top Channel