Ftesa e Ramës, FRD mbledh nesër Këshillin Kombëtar

01/04/2015 00:00

Fryma e Re Demokratike pritet të mbledhë nesër në orën 11:00
Këshillin Kombëtar të saj, ku do të vendosë për qëndrimin që do
të mbajë pas ftesës së bërë nga kreu i koalicionit, Edi Rama, që kjo
parti t’i bashkohet aleancës së majtë në zgjedhjet lokale.

Dy ditë më parë, kreu i qeverisë ftoi hapur, për bashkëpunim në qeverisjen lokale, edhe Frymën e Re Demokratike, pas arritjes së një marrëveshjeje paraprake me PDIU-në.

Edhe pse burime pranë së majtës konfirmojnë bashkimin e FRD-së në koalicionin e majtë, kjo pritet që të zyrtarizohet nesër. Brenda së majtës përflitet edhe për një marrëveshje paraprake mes PS-së dhe FRD-së, për t’i dhënë kësaj partie të drejtën për të propozuar kandidatin e saj në Bashkinë e Kamzës.

Emri që përflitet është pikërisht ai i Sali Shehut. Ndërkohë që pritet edhe një takim mes kreut e PS-së dhe atij të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Top Channel