Vlorë, arrestohet i dyshuari si vrasës me pagesë

01/04/2015 00:00

Nje vrasës me pagesë u arrestua nga policia e Vlorës, që si provë gjeti në xhepin e tij skemën e vrasjes të shkruar nga vetë i dyshuari. Në pranga ra edhe bashkëpunëtori i tij si dhe porositësi i vrasjes.

Duke goditur grupin kriminal të vrasësve përpara se të kryente një krim në fshatin Lepenicë të Vlorë, policia lokale bëri edhe zbërthimin e asaj se si do të funksiononte.

Ekzekutor kishte përllogaritur çdo lëvizje të shënjestrës së tij dhe kishte skicuar çdo gjë për lëvizjet që do të kryente pas vrasjes. Ai është identifikuar si shtetasi Luka Sherifaj, 42 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Vlorë, ndërsa ndihmësi i tij si shtetasi Ledjon Muho.

Policia arriti të grumbullonte informacione në rrugë operative për këtë dhe ndaloi mjetin “Land Rover”, me të cilin udhëtonin të dyshuarit, si dhe sekuestroi kallashnikovin me të cilin do të kryenin krimin, bashkë me materiale të tjera si doreza e maska për të mbuluar fytyrën.

Porositësi rezulton shtetasi Mesin Alliaj, 55 vjeç, nga fshati Gjorm i Vlorës, i cili ishte kërkonte një hakmarrje personale ndaj një shtetasi nga Lepenica. Arsyeja ka qenë se, vëllai i tij ishte vrarë nga Bujar Alliaj dhe porosia ishte për t’u hakmarrë tek vëllai i tij 53-vjeçar.

Sipas policisë, autori i vrasjes së mbetur në tentativë për shkak të arrestimit kishte marrë një shumë prej 1.5 milion lekësh për këtë krim dhe do të merrte edhe një shumë tjetër pas kryerjes së tij. Akuza e ngritur është ajo e “vrasjes për gjakmarje, e mbetur në tentativë”.

FOTO GALERI
1/2
Provat materiale

Top Channel