Stuhitë godasin Europën, “Niklas” vret 9 persona

01/04/2015 00:00

Shenjat e para ishin që mbrëmjen e së hënës, por stuhia e vërtetë në Gjermani do të përplasej të martën dhe episode të ngjashme kanë përjetuar gjithashtu Austria, Zvicra e Mbretëria e Bashkuar.

9 janë viktimat e motit në këto vende, 7 prej tyre vetëm në Gjermani, përfshirë dy burra makinat e të cilëve u goditën prej pemëve që janë rrëzuar nga furia e erës. Të plagosurit janë me dhjetëra, shumica të lënduar prej degëve të këputura që fluturonin në ajër.

Në majën më të lartë të Gjermanisë, Zugspitze, u regjistruan erëra që mbërrinin një shpejtësi prej gati 200 kilometrash në orë. Shërbimi hekurudhor në pjesë të ndryshme të vendit është ndërprerë, ndërsa stacioni kryesor i trenit në Mynih u evakua pas shqetësimeve se një pjesë e çatisë së tij, rrezikonte të shembej.

Stuhia e mbiquajtur “Niklas” kaloi nëpër të gjithë perëndimin e Gjermanisë, duke shkaktuar probleme të qarkullimit në Saksoninë e poshtme e Rinin verior, ndërsa shumë gjermanë përgatiteshin të udhëtonin për pushimet e Pashkëve.

Në qytetin Gross Santersleben, një burrë vdiq pas rrëzimit të një muri prej betoni. Në aeroportet e Frankfurtit, Hamburgut dhe Mynihut janë raportuar vonesa e probleme të tjera të fluturimeve.

Në Holandë ndërkohë, erërat më të forta u llogaritën në 120 km/h, mjaftueshëm sa për të përmbysur disa kamionë.

Top Channel