Gjykata e Tiranës liron Artan Bajraktarin

01/04/2015 00:00

Gjykata e Tiranës e konsideroi të paligjshëm ndalimin e drejtorit të Interpolit, Artan Bajraktari, si edhe rrëzoi edhe dy kërkesat e tjera të prokurorisë për të dhënë ndaj tij masën e “detyrimit me paraqitje” dhe për ta pezulluar nga detyra.

Pas këtij veprimi gjyqësor, pritet cili do të jetë veprimi personal i Bajraktarit, por edhe i shefave të tij: nëse do të pranohet apo jo që ai të kthehet sërish në krye të Interpol Tiranës.


Ndërkohë, për specialisten e bashkëarrestuar me Bajraktarin, Laureta Allën, gjykata i pranoi të treja kërkesat e prokurorisë. E konsideroi të ligjshëm ndalimin, deklaroi masën e sigurimit personal “detyrim paraqitjeje” dhe u shpreh pro pezullimit nga detyra deri në përfundim të hetimeve.

Për gjykatën, qëndrimi i akuzës që pretendon se zyrtari i Policisë së Shtetit ka shpërdoruar detyrën duke mos deleguar një shkresë të palës belge për arrestimin e Mark Frrokut, është i paargumentuar dhe i pafaktuar me prova.

Të paktën në bindjen e gjykatës, e cila pritet të zbardhë vendimin së shpejti, rezulton se shkresa ka mbërritur nga belgët më datën 27 mars dhe kreu i Interpol Tiranës e ka përcjellë tek vartësit me shënimin “të veprohet”. Mbrojtja e kreut të Interpolit pretendon se pas kësaj date kur është deleguar urdhër-arresti tek vartësit e konretisht tek Alla, Bajraktari ka marrë pushimet.

Ndërkohë që ka dyshime se shkresa është mbajtur në sirtare duke kryer në këtë mënyrë me gati dhjetë ditë procedurat që duheshin ndjekur për Frrokun.

Konkretisht, policia e ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë më datën 28 mars dhe kjo e fundit ka njoftuar Prokurorinë e Përgjitshme, që iu drejtua menjëherë Kuvendit për autorizimin e arrestit ndaj Frrokut, i përfolur për vrasje me paramendim.

Rezulton gjithashtu se një shkresë e mëparshme ka mbërritur në polici në fillim të muajit janar të këtij viti, kundër bashkëpunëtorëve të Frrokut në ngjarjen e vitit 1999 në Belgjikë.

Ndërsa për Frrokun thuhet se kjo shkresë është deleguar me emrin Besnik Morina.

Top Channel