Tiranë, policia heq nga vendparkimet të gjitha makinat në shitje apo të braktisura

01/04/2015 00:00

Policia Rrugore e Tiranës nisi lirimin e parkimeve publike në kryeqytet,
të bllokuara nga mjetet në shitje apo edhe të braktisura.

Policia u la një afat 15 ditor dhe në rastet kur urdhri i saj nuk u përfill, u zbatua rregullorja, duke i larguar automjetet me karroatrec.

“Bëhet fjalë për mjete që janë për shitje ose të papërdorshme, të cilët kanë muaj apo vite që qëndrojnë të stacionuara në këto zona”, thotë Ervin Dervishi, komandant i trafikut në Tiranë.

Sipas Dervishit, shumë shpejt aksioni do të shtrihet edhe brenda lagjeve të kryeqytetit. Ai apeloi ndaj qytetarëve që të denoncojnë bllokimin e parkingjeve, në numrin pa pagesë 126.

“I bëjmë thirrje komunitetit të bashkëpunojë, duke na sinjalizuar për mjetet të tilla që ndodhen pranë hapësirave ku ata jetojnë”, theksoi Dervishi.

Top Channel