Gjiknuri: Situata nën kontroll, asnjë rrezik për banorët

01/04/2015 00:00

Për më shumë informacion mbi situatën e krijuar në Patos Marinzë, ku në orët e mëngjesit shpërthyen rezervat e naftës dhe gazit, i lidhur për një intervistë telefonike me studion e lajmeve të Top Channel ka qenë ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.

Zoti ministër, si është situata në Marinzë?

Damian Gjiknuri: Situata është normale, banorët janë evakuuar. Autoritetet dhe kompania kanë marrë masa për evakuim të plotë pasi prioritet ishte jeta e njerëzve. Ka nisur ndërkohë puna për pastrimin dhe po bëhet mbyllja e gropave nga doli gazi, që nuk ishte helmues dhe nuk ka vënë asnjë herë në rrezik jetët e banorëve.

Cili ka qenë shkaku i shpërthimeve?

Damian Gjiknuri: Kjo po shikohet, aty janë të gjitha ekipet e ekspertëve që po kryejnë inspektimet e nevojshme. Në këto zona, edhe në të kaluarën, ka pasur të papritura si rrjedhje gazi apo substancash të tjera. Por situata është nën kontroll dhe nga shoqëria është kërkuar kontigjent për të përballuar situatën.

Zoti ministër, a do të dalin përgjegjësit e këtij incidenti?

Damian Gjiknuri: Në rastin konkret është një situatë që po shikohet. Kemi kontaktuar me kompaninë dhe dëshmpërblimi do të bëhet në bashkëpunim mes shoqërisë dhe shtetit. Por për momentin është vështirë të bësh një lidhje shkak-pasojë. Duke qenë një situatë komplekse autoritetet po kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të kontrolluar burimet natyrore dhe për të mbrojtur jetën e banorëve. Në orën 18 do të kemi njoftimin se kur do të kthehen banorët, në rast se jo, ata do të ndihmohen.

A është normale të kryhen shpime afër zonave të banuara?

Damian Gjiknuri: Në të gjithë botën kërkohen burime në zona të banuara. Në Shqipëri është një situatë komplekse edhe për shkak të ndërtimeve pa leje, por natyrisht shteti duhet të shohë edhe interesat e banorëve. Por edhe interesi për naftën është i madh dhe i nevojshëm për Shqipërinë, ndaj ne nuk duhet të anatemojmë këtë industri.

Si ka vijuar të punojë kjo kompani pa leje mjedisore?

Damian Gjiknuri: Aktiviteti i naftës nuk do të bllokohet, sepse nafta është një gjë që qarkullon. Rasti i sotëm nuk ka të bëjë me mjetet mjedisore dhe patjetër që Inspektoriati i Mjedisit ka marrë masat e tij. Ka një proces administrativ që po ndiqet nga ana e tyre. Mund të them qartë që nuk ka një klauzolë që të thotë mos nxirr naftë, pasi pasojat ekonomike për vendin janë shumë të mëdha. Vetëm në një ditë të mos nxirret naftë humben qindra-mijëra dollarë për ekonominë shqiptare. 

Top Channel