Kopshti Zoologjik i Tiranës, “ferri” i kafshëve

01/04/2015 00:00

Qeveria mori vendim për mbylljen e Kopshtit Zoologjik, pas skenës makabre të një kali të dëmtuar rëndë nga një buall.

Në kopsht kishin mbetur vetëm disa kafshë të egra si lama, ariu, struci, demi, ndërsa kafshët e tjera ishin ato shtëpiake, si macja, pulat, lepuri e të tjera. Jetesa në të njëjtin ambient e një bualli dhe kali dhe pamjet e kalit të dëmtuar që tmerruan vizitorët e rastësishëm, janë një dëshmi e qartë e katandisjes së këtij kopshti në një gjendje mjerane, edhe pse dikur ka qenë një nga zonat më të vizituara të kryeqytetit.

Për këtë arsye u mor masa drastike e mbylljes së përkohshme të tij, deri në rindërtimin dhe përmirësimin e kushteve për kafshët.

Megjithatë, ky vendim nuk e shmangu renditjen e Kopshtit Zoologjik të Tiranës në listën e gjashtë kopshteve zoologjike më të këqia në botë prej “Mother Nature Network”, një rrjet aktivistësh ndërkombëtarë që veprojnë në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe botës së egër.

“Kopshti Zoologjik i Tiranës, ose më mirë burgu i kafshëve, ku pjesa më e madhe e tyre jetojnë në një hapësirë të vogël në kushte krejtësisht të papërshtatshme. Majmunët qëndrojnë të ulur pjesën më të madhe të kohës, ndërsa ariu sorrollatet i lidhur me zinxhirë, në një hapësirë të ngushtë për përmasat e tij”, shkruan ky rrjet.

Sipas këtij rrjeti, gjendja e mjeruar e këtij kopshti është pasojë e vandalizmit prej vizitorëve ndër vite dhe mungesës së investimeve.

Së bashku me Kopshtin Zoologjik të Tiranës, në listën e “Mother Nature Network” janë edhe pesë kopshte të tjerë, duke nisur nga ai i Mumbait në Indi, i Gizas në Kajro të Egjiptit, i Gazas në Rripin e Gazas, Kabulit në Afganistan dhe i Penianit në Korenë e Veriut.

FOTO GALERI
1/6
Kopshti Zoologjik i Mumbait, Indi

Top Channel