Temo Hodaj komandohet në krye të Interpolit

01/04/2015 00:00

Temo Hodaj komandohet drejtor i zyrës së Interpol Tiranës. Ai zëvendëson në këtë post Artan Bajraktarin, të ndaluar më parë për çështjen “Frroku”.

Hodaj ka përvojë të gjatë në policinë kufitare, ndërkohë që para se të komandohej në këtë detyrë ka qenë specialist në zyrën e Interpol Tirana.

Bajraktari u lirua ditën e mërkurë nga Gjykata e Tiranës e cila vlerësoi se arrestimi ishte i paligjshëm dhe rrëzoi të gjitha kërkesat e Prokurorisë përfshirë këtu edhe atë për pezullim nga puna.

Për gjykatën, qëndrimi i akuzës që pretendon se zyrtari i Policisë së Shtetit ka shpërdoruar detyrën duke mos deleguar një shkresë të palës belge për arrestimin e Mark Frrokut, është i paargumentuar dhe i pafaktuar me prova.

Të paktën në bindjen e gjykatës, e cila pritet të zbardhë vendimin së shpejti, rezulton se shkresa ka mbërritur nga belgët më datën 27 mars dhe kreu i Interpol Tiranës e ka përcjellë tek vartësit me shënimin “të veprohet”. Mbrojtja e kreut të Interpolit pretendon se pas kësaj date kur është deleguar urdhër-arresti tek vartësit e konretisht tek Alla, Bajraktari ka marrë pushimet.

Top Channel