Raporti 100-ditor i Qeverisë “Mustafa”

01/04/2015 00:00

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si një nga vendimet kryesore që pritet të ndodhë gjatë qeverisjes së tij, Mustafa konfirmoi se ushtria e Kosovës nuk do të mund të shkojë në veri të vendit pa lejen e NATO-s.

Këto deklarata, kryeministri kosovar i bëri gjatë konferencës së thirrur për raportin e punës mbi 100 ditët e para të qeverisjes së tij.

“Është e saktë se ekziston një pajtueshmëri me Aleancën Atlantiko-Veriore, që në Veri të vendit të mos shkohet pa marrëveshje me ta. Marrëveshja është që nuk duhet të shkohet, por nëse do të duhet të ndërhyhet, në çdo rast do të shkohet në koordinim me NATO-n. Mua më është thënë edhe në selinë e NATO-s, kur kam qenë në takim me Sekretarin e aleancës, që kjo ka qenë marrëveshja dhe asaj duhet t’i përmbahemi. Mirëpo NATO nuk ka asgjë kundër që ne t’i themelojmë, vetëm se themelimi të bëhet në harmoni dhe me pajtueshmërinë e të gjithëve”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Gjatë prezantimit të punës në një konferencë para gazetarëve, Mustafa ka kujtuar kohën e vështirë të ardhjes në pushtet, ndërsa e ka vlerësuar si sukses menaxhimin e protestave dhe krizës në vend.

“Dua të nënvizoj se ne kemi filluar mandatin në një gjendje mjaft të rëndë, e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimit të institucioneve për 6 muaj, me fillimin e grevave të punonjësve të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqtarëve. Me protestat e organizuara nga opozita në disa qytete dhe në Prishtinë, që janë përshkallëzuar në protesta të dhunshme, me ballafaqimin e shkuarjes së Kombinatit Trepça në likuidim dhe me grevat e minatorëve, si dhe me fluksin e migrimit në dy muajt e parë të këtij vitit, tepër të madh, për të cilin ende kanë mbetur të pashpjegueshëm faktorët që kanë ndikuar”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri kosovar paralajmëroi opozitën, se nuk do të lejojnë që kundërshtitë të shprehen me gurë dhe protesta të dhunshme.

“Dhe ne, në asnjë rast nuk do të lejojmë që policët tanë, që njerëzit tanë të sulmohen me gurë, dhe që gurët të shërbejnë si instrumente për zgjidhjen e papajtueshmërive politike dhe për ardhjen në pushtet”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kreu i ekzekutivit kosovar foli edhe për bojkotin e “Listës Serbe”, me të cilët tha se është takuar tri herë dhe nuk i kanë paraqitur asnjë kusht, ndaj Mustafa tha se nuk po e kupton vonesën e kthimit të tyre në Qeveri.

Mustafa tha se në 100 ditët e para, Qeveria e tij ka arritur të bëjë reforma të nevojshme në sektorin ekonomik, si parakusht për të rritur besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Top Channel