Protestë pranë RTK-së për rikthimin në punë të të shkarkuarve

01/04/2015 00:00

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës protestoi sërish të mërkurën, kundër largimit nga puna një javë më parë të kryetarit dhe nënkryetarit të kësaj sindikate, Fadil Hoxha dhe Arsim Halili.

Protestës iu bashkuan rreth 50 punëtorë të RTK-së, të cilët kërkuan nga bordi i RTK-së, që të shfuqizojë vendimin e largimit nga puna të Hoxhës e Halilit.

Largimin e Halilit dhe Hoxhës nga vendi i punës, sindikalisti Shkumbin Ahmetxhekaj e vlerësoi si hakmarrje për denoncimet, që këta të fundit i kanë bërë në publik.

Sindikalistët kërkuan nga Kuvendi i Kosovës, që ta trajtojnë këtë çështje dhe të kërkojë kthimin e Halilit dhe Hoxhës në vendin e punës.

Sindikalistët paralajmëruan protestën e radhës për ditën e enjte, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se, nëse dy kolegët e tyre Arsim Halili dhe Fadil Hoxha nuk kthehen në punë, këto protesta do të radikalizohen.

Top Channel