Publikohet raporti antikorrupsion në Kosovë

01/04/2015 00:00

Agjencia kundër Korrupsionit në Kosovë vlerëson se, vitin e kaluar ka parandaluar shpenzimin e 29 milionë eurove, përmes procedurave të dyshimta të prokurimit publik.

Kryeshefi i Agjencisë kundër Korrupsionit, Hasan Preteni ka prezantuar në një konferencë për gazetarët raportin vjetor të punës, ku ka sqaruar se fusha më e ndjeshme e keqpërdorimeve është ajo e prokurimit publik.

Preteni tha se, gjatë vitit të kaluar kanë bërë 131 kallëzime penale kundër 163 zyrtarëve të dyshuar, por gjykatat dhe prokuroritë, sipas tij, nuk po kryejnë punën finale për ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar.

“Gjyqtarët dhe prokurorët vazhdojnë t’i neglizhojnë edhe më tutje shkeljet e tilla, të konstatuara me këtë proces. E kanë atë avantazh, atë mundësi, sepse tani prokurorët, në bazë të kallëzimeve penale tona, nuk kanë nevojë të kërkojnë informacione shtesë nga policia, por të gjitha provat i siguron agjencia”, tha Hasan Preteni, kryeshef i Agjencisë kundër Korrupsionit.

Për ta argumentuar neglizhencën e gjykatave dhe prokurorive, Preteni tregoi se, në 12 aktgjykimet për veprat penale të mosdeklarimit apo deklarimit të rremë të pasurisë, dënimi minimal ka qenë me 200 euro gjobë, ndërsa më i larti 1000 euro, edhe pse për vepra të tilla ligji parasheh edhe dënim me burg.

“Mund të them që është iluzion të kërkohet, që dikush të shkojë në burg për mosdeklarim ose deklarim të rremë, sepse gjyqtarët dhe prokurorët tanë nuk dërgojnë në burg askënd, as për veprime korruptive, e jo më për vepra të tilla”, tha Hasan Preteni, kryeshef i Agjencisë kundër Korrupsionit.

Kreu i Antikorrupsionit ka bërë thirrje për ndryshim të ligjeve për të drejtën e punësimit të zyrtarëve të lartë në disa poste, pasi sipas tij numri i atyre që mbajnë më shumë se një vend pune është alarmant.

“1.509, ose një në tre zyrtarë të lartë kanë më shumë se një vend pune; 1.155 kanë nga dy, nga tri detyra i kanë 312, nga katër 31, nga pesë funksione 10, ndërsa me gjashtë funksione 1 zyrtar”, tha Hasan Preteni, kryeshef i Agjencisë kundër Korrupsionit.

Preteni tha se, sipas ligjit, më 1 Qershor do t’i publikojnë formularët e deklarimit të pasurisë për të gjithë zyrtarët e lartë publik në Kosovë. Ndërsa më 31 Mars ka përfunduar afati ligjor i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve për vitin 2015, por ende nuk dihet sesa zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë, pasi kjo do t’i nënshtrohet procedurës së verifikimit.

Top Channel