“Trepça” informon sërish mbi gjendjen e rëndë financiare

01/04/2015 00:00

Drejtuesit e Ndërmarrjes Trepça kanë njoftuar opinionin publik dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës mbi gjendjen e rëndë, të ciilën po kalon kjo ndërmarrje për shkak të mospajisjes me licencë shfrytëzimi.

Në deklaratën për shtyp të lëshuar me këtë rast, bëhet e ditur se prej datës 24 Janar, minierat e Trepçës në Stantërg dhe Artanë janë pa licencë shfrytëzimi, e situata ka mbërritur deri në ndërprerjen e prodhimit.

Po ashtu bëhet e ditur se Trepça, sipas ligjit për minierat dhe mineralet, ka aplikuar me kohë për vazhdimin e licencës së shfrytëzimit sipas ligjeve në fuqi.

“Ndërprerja e prodhimit i ka shkaktuar Trepçës dëme të mëdha financiare dhe probleme në funksionimin tërësor të saj. Burimi kryesor i të ardhurave të ndërmarrjes është prodhimi, një e drejtë kjo e privuar, që i privohet jo për faj të minatorëve apo drejtuesve”, thuhet në deklaratë.

“Për këtë arsye, i kërkohet institucioneve të Republikës së Kosovës të marrin menjëherë masa, që Trepça të pajiset me licencë për shfrytëzim. Kjo situatë që po kalon vendi nuk është vetëm përgjegjësi e drejtuesve dhe e minatorëve,” thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Top Channel