Kaos në PDIU për negociatat, Muhedini: Pas Ramës, Idrizi do të shkojë tek Basha

01/04/2015 00:00

Vetëm dy ditë pasi Shpëtim Idrizi, në krah të kryeministrit Edi Rama, pohoi kalimin e PDIU në mazhorancë, duke nisur nga bashkëpunimi për zgjedhjet vendore, deputeti i kësaj partie, Tahir Muhedini bën një hap prapa.

“Vendimi i partisë është që ne të negociojmë me të gjitha forcat kryesore dhe pas kësaj do vendosim për qëndrimin tonë. Negociuam me PS, tani do negociojmë me PD. Në fakt është kuptuar sikur kjo është mbyllur, por ka qenë propozimi i kryetarit të PS që të bashkëqeverisin me të gjitha. Por, ky është vendimi i partisë”, ka thënë Muhedini, i cili duke iu përgjigjur interesit të mediave, ka thënë se nuk ka qenë as një qëndrim personal i kryetarit Idrizi.

“Ai nuk është qëndrim personal. Ai ka shkuar për të negociuar dhe do të shkojë për negociatë edhe tek PD. Gjithashtu, çfarëdo diferencash të kemi ne, i zgjidhim ato brenda shtëpisë sepse nuk kemi përse t’i nxjerrim në pazar”, ka thënë Muhedini.

Deklarata e Muhedinit e bën më të paqartë situatën brenda PDIU-së dhe raportin e saj me mazhorancën e majtë, shtuar kësaj edhe faktin se deputeti tjetër i kësaj partie, Dashamir Tahiri ka deklaruar se do të mbetet djathtas. Por, ajo që garanton Muhedini është se nuk do të ketë përçarje të PDIU.

“Unë ju siguroj një gjë: të pestë deputetët që jemi do të jemi në një vend, do të ulemi të gjithë bashkë. Dhe atë që sakrifikuam para disa vitesh, që ishim një parti, u bëmë dy dhe pastaj prapë një, nuk do të ndodhë më. Pra, ne do të jemi të gjithë bashkë të pestë”, shtoi Muhedini.

Top Channel