Turqi, vazhdojnë incidentet në Stamboll; përcillet prokurori i vrarë

01/04/2015 00:00

Incidentet në Stamboll kanë vazhduar edhe këtë të mërkurë. Dy persona
janë neutralizuar pranë zyrave qendrore të policisë, me të gjitha gjasat
në përpjekje për t’i sulmuar ato.

Sipas mediave turke, bëhet fjalë për një sulm ndaj forcave të rendit. Njëri prej
agresorëve, që besohet se është femër, ka gjetur vdekjen, ndërkohë që
sulmuesi tjetër ka mbetur i plagosur.

Raportime ende të pakonfirmuara thonë se ka patur një shkëmbim të
shkurtër zjarri mes policisë dhe dy sulmuesve. Ndërsa disa orë më parë,
një person u fut dhunshëm në zyrat qendrore të partisë në pushtet, AK.

Më herët, një turmë e madhe njerëzish mori pjesë në ceremoninë mortore të
prokurorit turk, që u vra në sallën e gjyqit nga disa pengmarrës ditën e
martë në Stamboll.

Mehmet Selim Kiraz dhe dy agresorët që e morrën peng mbetën të vrarë në shkëmbimin e zjarrit që nisi kur ndërhynë forcat speciale.

Prokurori Kiraz kishte hetuar rastin e një adoleshenti që u qëllua në kokë në protestat anti-qeveritare të vitit 2013 e që vdiq pas 9 muajsh në gjendje kome.

Ceremonia mortore, e mbajtur në godinën e gjykatës, u drejtua nga ministri i Drejtësisë, Kenan Ipek, që e cilësoi sulmin “një armë drejtuar kombit”.

“Ne nuk e shohim këtë si një sulm ndaj prokurorit tonë të ndjerë, por ndaj gjithë sistemit të drejtësisë”, tha ministri Ipek.

Ceremonia më vonë u spostua në xhaminë e Sulltanit Ejup, ku kryeministri Ahmet Davutoglu dhe ish-presidenti Abdullah Gul ishin gjithashtu të pranishëm. Pengmarrja iu atribua grupit revolucionar marksist DHKP-C.

Mëngjesin e së mërkurës, të paktën 19 anëtarë të grupit u arrestuan nga policia në qytetin jugor të Antalias, por ende nuk dihet nëse ky operacion kishte lidhje me pengmarrjen e prokurorit.

FOTO GALERI
1/1
Homazhet për prokurorin e vrarë

Top Channel