Vettel viziton të punësuarit e Maranellos: Jam njëri prej jush!

01/04/2015 00:00

Të gjithë e prisnin me padurim dhe Sebastian Vettel nuk vonoi t’i gëzonte. Pas një mëngjesi të kaluar në stërvitje, piloti gjerman ka takuar të gjithë punonjësit e sektorit sportiv, të bashkuar për të festuar fitoren e Çmimit të Madh të Malajzisë, të dielën e kaluar.

Seb iu është drejtuar të gjithëve në italisht. “Ishte një emocion i madh. Kam fituar shumë gara, por e para me Ferrarin ishte jashtëzakonisht speciale. Mbrëmjen e së dielës pata dëshirë të festoja me mekanikët dhe u thashë se, pavarësisht ndihmës që më jepni, unë dua të jem njëri prej jush. As më pak dhe as më shumë. Jam pjesë e skuadrës dhe, pavarësisht se në pistë zbres i vetë, e di që në realitet nuk jam aspak i vetmuar, sepse jam gjithnjë bashkë me ju. Dua t’iu falënderoj për mundësinë që më keni dhënë të garoj me një makinë të mirë dhe mendoj se do të përjetojmë të tjera momente të gëzueshme së bashku”.

Maurizio Arrivabene iu ka dërguar të gjithë të pranishmëve edhe përshëndetjet dhe mirënjohjen e Kimi Raikkonen, i cili komunikoi me ta përmes telefonit, por nuk mundi të ishte i pranishëm, sepse ndodhej në Finlandë për pagëzimin e të birit. Ndërkohë, Maurizio iu ka kujtuar të gjithëve se një fitore e tillë është vetëm një pikënisje, dhe se skuadra duhet të vazhdojë të punojë me dedikimin maksimal dhe përqendrim të jashtëzakonshëm.

“Besoj se kur dëgjuam atë shprehjen Forca Ferrari nga Sebastian, me të mbaruar gara e Malajzisë në komunikimin me radio, kuptuam ëndrrat e tij si të ishte fëmijë, dhe na kujtoi momentet që kemi kaluar me një tjetër pilot të madh gjerman, i cili ka fituar shumë për ne, Michael Schumacher. Ju jeni këtu prej kohësh dhe e meritoni të jeni”, tha Arrivabene.

Top Channel